Vendosmëria në fe

M. Sami Ramazanollu

Allahu i Lartësuar në Kuranin Fisnik thotë: “Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë.” (Haxh, 11)

Disa prej njerëzve që e kanë zakon ta harrojnë dhe ta kundërshtojnë Krijuesin dhe Furnizuesin e vërtetë, Allahun Teala, e adhurojnë Atë duke dyshuar. Si rezultat, nuk kanë vendosmëri në adhurimet që kryejnë kundrejt Zotit (xh.xh.). Ata nuk e përvetësojnë Islamin me gjithë zemër dhe sinqeritet, në mënyrë që ta kenë të lehtë të kthehen në anën tjetër kur të mos u leverdisë apo kur t’u shkaktohet ndonjë dëm në këtë botë. Për këtë arsye, shkojnë rreth e rrotull saj, por nuk hyjnë në të. Ja, njerëzve të tillë u qetësohet zemra kur kanë ndonjë interes apo kur Zoti u dhuron ndonjë mirësi dhe këtë e konsiderojnë të ardhur nga feja. Por nëse i gjen ndonjë fatkeqësi, menjëherë largohen nga feja, e lënë atë dhe kthehen në anën që e mohon Zotin (xh.sh.).

Sipas mendimit të Fahri Razit, Kadiut dhe Hazinit, ky ajet fisnik ka zbritur në lidhje me një grup që po bënte hixhret për në Medine. Kur disave prej tyre u lindën gratë fëmijë, pelat u pollën mëza dhe iu shtua pasuria, e konsideruan këtë si mirësi të fesë islame, iu qetësuan zemrat dhe qëndruan të vendosur në fenë islame në Medine të kënaqur. Sikundër kësaj, atyre që gratë nuk u lindën fëmijë, pelat nuk u pollën, u sëmurën dhe përjetuan vështirësi në sigurimin e jetesës, e komentuan këtë sikur të ishte një e keqe që u vinte nga feja islame dhe thanë: “Punët nuk na kanë ecur mirë që kur jemi bërë myslimanë.” Për këtë arsye, e lanë fenë islame dhe u kthyen përsëri në mohim të Zotit (xh.sh.).

Shkaku që Allahu Teala i ka dhënë leje shejtanit për fitne, vesvese dhe përçarje shprehet në këtë ajet fisnik në të cilin thuhet: “Kjo ndodh që Ai ta bëjë ndërhyrjen e djallit sprovë për njerëzit që i kanë zemrat të sëmura (nga dyshimi) dhe të ngurtësuara – prandaj keqbërësit janë në përçarje të madhe – dhe që ata, të cilëve u është dhënë dituria, ta kuptojnë se ai (Kurani) është e Vërteta nga Zoti yt, ta besojnë atë dhe zemrat e tyre të binden e të qetësohen me të. Nuk ka dyshim se Allahu i udhëzon në rrugën e drejtë ata që besojnë.” (Haxh, 53-54)

(O i Dashuri Im!) Nëse djalli përpiqet të të shtyjë drejt së keqes, kërko strehim tek Allahu, se vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka.” (A’raf, 200)

Domethënë se djalli i mallkuar pret mundësinë për ta shtyrë njeriun drejt së keqes. Andaj, nëse fillon ndonjë vesvese apo cytje përgjatë zemërimit, njeriu duhet t’i përgjërohet menjëherë Allahut të Madhëruar që ta marrë nën mbrojtjen hyjnore, në mënyrë që të ruhet nga e keqja e shejtanit.

Puna e shejtanit, sipas Fahri Razit, Fet’hu’l-Bejan dhe Hazinit, është futja e vesveseve te njeriu, cytja e tij, inkurajimi për të bërë vepra të këqija, preokupimi i mendjes së njeriut dhe hedhja e tij në sa më shumë dyshime.

Allahu Teala thotë:

“Ata që i frikësohen Allahut, kur u vjen ndonjë mendim i lig nga djalli, i kujtojnë (urdhrat e Tij), e atëherë e shohin rrugën e drejtë. Ndërsa vëllezërit e vet (prej njerëzve), ata i shpien edhe më tej në humbje pa pushuar.” (A’raf, 201-202)

Artikuj të ngjashëm