Të bëhesh mbeturinë? Apo të mbetesh njeri?

Ali Xhan

Sot, njerëzimi ka ardhur në një udhëkryq në errësirën e injorancës moderne. Ata (njerëzit) ose do të vazhdojnë jetën e tyre si mjete të thjeshta në duart e sistemeve supersticioze të shkëputura nga shpallja hyjnore dhe do të presin që të flaken tutje pas përfundimit të misionit të tyre, ose do të bëhen krijesa të nderuara duke dëgjuar thirrjen hyjnore dhe duke hyrë në rrugën e adhurimit ndaj Zotit (xh.xh.).

Kompania më e madhe e mbledhjes së të dhënave në SHBA, e cila ka të dhënat e 300 milionë njerëzve, i ka klasifikuar këta persona në më shumë se 70 kategori sipas fuqisë së tyre ekonomike, ata me fuqinë blerëse më të ulët janë emërtuar “mbeturina” dhe ata me fuqinë blerëse më të lartë janë emërtuar “yje”. Mendoni për një sistem që nëse mund të shpenzoni ju konsideron “yll”, por nëse nuk keni fuqi ekonomike për të shpenzuar, ju konsideron “mbeturinë”. Kjo është pika e fundit e humanizmit, i cili nisi me parulla të praruara si “Njeriu është masa e të gjitha gjërave”, “Vlera bazë është njeriu”.

Iluminizmi evropian, të cilin mund ta përshkruajmë si ndërprerje e lidhjeve të njeriut me Zotin, gjoja e vendosi njeriun në qendër të gjithçkaje. Ndërkohë, kjo shkëputje ishte në kundërshtim me natyrshmërinë e njeriut, sepse njeriu është krijuar me një natyrshmëri që mund të fitojë një pozitë duke u lidhur me Allahun, qendrën e vetme në univers. Për këtë arsye, njeriu ka filluar të ketë nevojë për një konstante të re. Me kolonializmin dhe Revolucionin Industrial që u zhvillua si rezultat i zbulimeve gjeografike, akumulimi i kapitalit në Evropë i ofroi një konstante të re njeriut perëndimor, lidhjet e të cilit ishin shkëputur me Allahun: pasurinë dhe kapitalin.

Sistemi liberal-kapitalist, i cili e mat njeriun me sasinë e kapitalit që ka, i ka bërë të egër të pasurit që kanë pushtet duke thënë “le ta bëjnë, le të kalojnë”, duke u bazuar vetëm te nefsi emare i njeriut. Sikundër kësaj, i ka injoruar ata që nuk kanë pushtet, domethënë i ka konsideruar mbeturina”. Kjo qasje e egër natyrshëm shkaktoi një reagim të madh. Në shekullin e 19-të klasa punëtore në zhvillim veproi si bartëse standarde e këtij reagimi. Socializëm-komunizmi, i cili mishëroi një version të sistemuar të këtij reagimi si një lëvizje individualizmi, parashtroi një sistem të ri vlerash duke vënë në pah punën njerëzore kundër borgjezisë që zotëronte kapitalin. “Puna” e pozicionuar kundër kapitalit dhe pasurisë u pranua si vlera e re e njerëzimit. Megjithatë, socializmi dhe kapitalizmi që duket si dy sisteme të ndryshme apo edhe të kundërta, janë në fakt dy konkurrentë që vrapojnë në të njëjtën korsi dhe asgjë më tepër.

Ndërsa kapitalizmi pranoi kapitalin si vlerën që i bën njerëzit njerëzorë, socializmi theksoi punën. Të dy sistemet nuk mundën t’i vlerësonin qeniet njerëzore si qenie njerëzore, sepse botëkuptimi laik-jofetar që përbën bazën e të dy sistemeve ishte i paaftë për t’i takuar njerëzit me vullnetin hyjnor. Ky rreth vicioz që u ngushtua, e bëri njeriun çnjerëzor duke e shkëputur nga Zoti (xh.xh.), i Cili i jep vlerën më të madhe njeriut. Mendja laike e konsideronte njeriun, më të nderuarin nga të gjitha krijesat, me potencialin për t’u bërë superior ndaj engjëjve, si një krijesë që evoluoi nga majmuni. Sipas këtij botëkuptimi, njeriu, i cili ontologjikisht nuk është aspak i ndryshëm nga majmuni, mund të fitonte vlerë dhe kuptim vetëm me kapital ose punë. Sipas klasifikimit të mësipërm, i cili nxjerr në pah gjithë perversionin e sistemit kapitalist në pikën ku ka arritur ky degradim,  Ebu Xhehli i cili ishte një nga më të pasurit e Mekës, është një “yll”, ndërsa i varfëri Bilal el-Habeshiu ose Ammari, radijall-llahu anh, nuk kanë asnjë vlerë, Zot na fal.

Ndërkohë, Allahu e ka zgjedhur njeriun si mëkëmbës (shik. Bekare, 30) dhe e ka krijuar atë në formën më të bukur. (Shik. Tin, 4.) Atë e ka bërë krijesën më të nderuar duke ia mësuar emrat e Tij dhe emrat e gjërave. (Shik. Bekare, 31.) Zoti i botëve e ka indeksuar këtë pozitë të nderuar jo te ndonjë vlerë e kësaj bote, por vetëm te zemra e pastër (Shik. Shuara, 88-89) dhe te devotshmëria (shik. Huxhurat, 13). Shembulli monumental i moralit të Allahut të mishëruar në qeniet njerëzore dhe krenaria e njerëzimit, Resulullahu, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Allahu nuk shikon fizionomitë dhe pasurinë tuaj, por Ai i jep rëndësi zemrave dhe veprave tuaja.” (Muslim, Birr, 34.)

Hz. Pejgamberi duke u shprehur kështu, i shkatërroi të gjitha kriteret  e  respektit ndaj pozitës në këtë botë si idhujt brenda Qabesë. Kjo përmbysje e madhe u bë me një metodë të madhe profetike. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), pasi pyeti opinionin e shoqërisë për një besimtar të varfër, por të devotshëm dhe pasi mori vlerësimin se ky një person ishte i pavlerë dhe i parëndësishëm, i zeroi të gjitha kriteret përveç devotshmërisë duke u shprehur: “Ky (i varfëri i devotshëm) është më i mirë sesa bota e mbushur me njerëz si tjetri (gjynahqar, i pasur dhe arrogant).” (Buhari, Nikah, 16.)

Moderniteti, i cili e nisi rrugën duke thënë “njeriu, patjetër njeriu, njeriu është masa e gjithçkaje, e vetmja vlerë është njeriu”, e ka humbur “njeriun” në pikën ku ka arritur. Sipas tij, një njeri që nuk prodhon informacion dhe nuk kontribuon në akumulimin e kapitalit të sistemit kapitalist si konsumator është thjeshtë “mbeturinë”. Fundi i mbeturinave është asgjësimi. Në shprehjen e kësaj të vërtete të tmerrshme, zëvendësguvernatori amerikan i Teksasit Dan Patrick, gjatë epidemisë së Covid-it, deklaroi se nuk kishte kuptim të ndalohej ekonomia duke mbajtur në jetë të moshuarit mbi 70 vjeç, të cilët sipas sistemit kapitalist konsiderohen “mbeturina”. Andaj mbrojti mendimin që ata të hidheshin në mbeturina.

Sot, njerëzimi ka ardhur në një udhëkryq në errësirën e injorancës moderne. Ata (njerëzit) ose do të vazhdojnë jetën e tyre si mjete të thjeshta në duart e sistemeve supersticioze të shkëputura nga shpallja hyjnore dhe do të presin që të flaken tutje pas përfundimit të misionit të tyre, ose do të bëhen krijesa të nderuara duke dëgjuar thirrjen hyjnore dhe duke hyrë në rrugën e adhurimit ndaj Zotit (xh.xh.).

Hz. Mevlana ajetin: “Për ata që i frikësohen pozitës së Zotit të tyre ka dy xhenete.” (Rrahman, 46), e interpreton në formën: “Njëri prej xheneteve është xheneti në botën e përtejme, kurse xheneti tjetër është xheneti i paqes në këtë botë.” Ai që jeton në përputhje me Sheriatin e Lartë të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në këtë botë do të ketë paqe dhe dinjitet, kurse në botën tjetër do të hyjë në xhenetin Firdeus. Ndërsa ai që ia kthen shpinën sheriatit, do të bjerë në turpin e të qenët i pavlerë si mbeturinat në këtë botë, kurse në botën tjetër do të hidhet në xhehenem.

Artikuj të ngjashëm