“Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut).” (Hashr, 19)
Shitje e fesë do të thotë të harrosh Allahun dhe për rrjedhojë dënohet me harrim të vetes. Ata që e meritojnë këtë dënim shpesh nuk janë të vetëdijshëm se në çfarë lloj mashtrimi janë. Psikologjinë e kësaj blerjeje e përcakton pasioni dhe entuziazmi; sociologjinë e saj e përcakton kolltuku, pozita, statusi dhe klasa dhe ekonominë e saj e përcakton zgjedhja e stilit të jetesës.
Akabe është një fjalë arabe që do të thotë kalim i thepisur dhe i ngushtë. Në gjeografinë arabe ka shumë lugina me këtë emër. Por kur thuhet Akabe, së pari kuptohet lugina afër Xhemaratit, tri kilometra larg Mekës, ku shejtani gjuhet me gurë. Ky është vendi ku i Dërguari i Allahut (s.a.s.), e mori fjalën në emër të Allahut fillimisht nga dymbëdhjetë e më pas shtatëdhjetë e pesë njerëz nga Medina. Premtimi që banorët e Medinës i bënë Allahut në këtë vendkalim të ngushtë mes dy maleve ka një natyrë madhështore që përcakton kornizën e marrëdhënies së çdo besimtari me Allahun deri në Ditën e Gjykimit, në këtë kalim të thepisur të quajtur “botë-dynja”.
Kjo botë është akabeja jonë. Akabe është një treg në të cilin shiten jeta dhe pasuria. Zoti (xh.xh.), na ka kërkuar jetën dhe pasurinë tonë në këtë treg dhe në këmbim na ka premtuar lumturi të përjetshme. Kjo është në fakt shprehja në tokë e premtimit që i bëmë Zotit në Elest Bezmi (pafillimësi). Në këtë kontekst, Akabe është miniatura në sipërfaqen e kësaj toke e asamblesë së besëlidhjes sonë në botën shpirtërore. Është mishërimi i marrëveshjes që kemi bërë me Zotin (xh.xh.), në kuadër të shembujve më të bukur të shpalosur nga Njeriu më i Mirë (i Dërguari i Allahut s.a.s.).
Marrëveshja e lidhur ndërmjet Allahut dhe besimtarëve në Akabe ka një natyrë që i përfshin të gjithë besimtarët deri në ditën e llogarisë. Rëndësia e kësaj kontrate qëndron në vlerësimin se cili është kriteri i vlerës. Çfarë mund të blihet dhe shitet në tregun e kësaj bote dhe cili është çmimi i tyre është bërë i qartë në Akabe. Atë ditë, Zoti (xh.xh.), nëpërmjet të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), mori jetën dhe pasurinë tonë dhe në këmbim premtoi jetë të përjetshme. Tashmë, se çfarë është objekti i blerjes dhe shitjes, për më tepër çmimi, është e qartë: “Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Teurat, Ungjill dhe Kuran. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Andaj, gëzojuni kësaj shitjeje! Kjo është fitorja madhështore.” (Teube, 111)
Gjykimi i vlerës që u shfaq në tregun e Akabesë është e vërteta se çmimi i atyre që posedon njeriu është vetëm dhe vetëm jeta e përhershme. Çdo shitje që bëhet përveç kësaj është një humbje, është një dëm, sepse kriteri i vlerës në tregun e Akabesë është një masë e përjetuar dhe e provuar. Besimtarët, veçanërisht ensarët, të cilët ishin të vetëdijshëm për premtimin që i kishin dhënë Allahut atë ditë, na e kanë treguar realitetin e kësaj marrëveshjeje me përvojat e tyre. Es’ad ibn Zurare, radijall-llahu anh, i cili ishte njëri prej tyre, tha atë ditë: “O I Dërguari i Allahut! Ne do të të mbrojmë ty siç mbrojmë veten, fëmijët dhe gratë tona. Nëse e thyejmë këtë besëlidhje, le të jemi njerëz fatkeq që kemi thyer besëlidhjen me Allahun! O i Dërguar i Allahut! Ky është betimi ynë për besnikëri ndaj Teje! Vetëm Allahu Teala është Ai te ndihma e të Cilit mund të strehohemi!” Kjo fjalë ishte vendosja e emrit të marrëveshjes së njeriut të bërë me Allahun nga dikush i shëndoshë mendërisht që e dinte se çfarë dhe pse po blinte.
Hz. Abdullah ibn Ravaha (r.a.), i cili e mori fjalën pas Es’adit (r.a.), gjithashtu deklaroi se i Dërguari i Allahut mund t’i vendoste çdo kusht që dëshironte për Zotin e tij dhe për veten e tij, me besimin dhe qetësinë shpirtërore të shitblerjes që kishte bërë. Pas kësaj, Profeti (s.a.s.), ia ktheu: “Kushti im për Zotin është që ta adhuroni Atë dhe të mos i bëni shok Atij. Kushti për veten time është që të më mbroni ashtu siç mbroni jetën dhe pasurinë tuaj.” Që nga ajo ditë, sahabët e nderuar, të cilët do të quheshin ensarë, pyetën se çfarë do të merrnin në këmbim nëse do të vepronin kështu. Kur Pejgamberi (s.a.s.), u tha: “Do të keni xhenetin!”, ata që ndodheshin aty e shprehën kënaqësinë e tyre duke thënë: “Çfarë tregtie fitimprurëse! Ne nuk kthehemi nga kjo, as nuk duam të kthehemi!”
Jeta e mëvonshme e ensarëve është argument se ata nuk i thyen premtimet që dhanë. Atë ditë, një e treta e atyre që i kapën dorën të Dërguarit të Allahut në Akabe sakrifikuan jetën e tyre në rrugë të Allahut duke vdekur si dëshmorë. Duke shfaqur ndaj muhaxhirëve që shkuan në qytetin e tyre një shembull të sakrificës që nuk ishte parë kurrë në historinë njerëzore, ata ndanë gjithë pasurinë e tyre me kënaqësi të përzemërt. Premtimin që ia bënë Allahut në Akabe, nuk e thyen për asnjë interes, pozitë, përfitim apo çmim të kësaj bote. Ai që morën në këmbim të jetës dhe pasurisë së tyre ishte xheneti. Ata kurrë nuk e ulën masën e vlerës dhe gjithmonë e mbajtën besëlidhjen me Zotin (xh.xh.). Fjalët amanet të Sa’d ibn Rebiut (r.a.), i cili ishte njëri prej tyre, kur ra dëshmor në Uhud, ishin manifestim i kësaj besnikërie që i dridh zemrat:
Pasi politeistët kurejshë u larguan nga mejdani i Uhudit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pyeti se në çfarë gjendjeje ishte Sa’d ibn Rebiu. “Atë e pashë një herë atje.”, tha ai (s.a.s.), duke treguar nga njëra anë. Një burrë nga ensarët e mori përsipër detyrën dhe shkoi në drejtimin e treguar. Ai nuk e pa Hz. Sa’din ndër dëshmorët e shtrirë në luginë. Pastaj thirri: “O Sad, i Dërguari i Allahut më dërgoi te ti.” Vetëm pas kësaj u dëgjua një rënkim nga Sa’di, radijall-llahu anh. Kur burri që shkoi te Sadi i tha: “I Dërguari i Allahut më ka urdhëruar ta informoj nëse je gjallë apo i vdekur.”, Hazreti Sa’di i tha: “Tani jam në mesin e të vdekurve. Mund të nuhas aromën e xhenetit. Dërgoji përshëndetjet e mia të Dërguarit të Allahut dhe i thuaj: “Allahu të shpërbleftë”, thotë Sa’d ibn Rebiu. Çoji përshëndetjet e mia edhe popullit tim Ensar! Le të mos e harrojnë besëlidhjen e tyre me të Dërguarin e Allahut në natën e Akabesë. Përderisa sytë të shikojnë dhe qerpikët të lëvizin, nëse nuk e mbroni mirë Pejgamberin dhe bëheni shkak që t’i ndodhë ndonjë dëm, nuk ka asnjë justifikim që mund ta shfaqni në audiencën e Allahut.” (Muvatta, Xhihad, 41.)
Çmimi i tregtisë që bëhet me Allahun është i qartë. Besimtarët, nëse mund ta shprehim me një thënie moderne, e kanë “blerë” këtë vlerë, domethënë, që nga Profeti (s.a.s.) e deri në kohët e sotme, ata e kanë formësuar jetën e tyre sipas kësaj norme dhe nuk kanë pranuar çmime të tjera. Duke e ditur se kjo normë është e paçmueshme në këtë botë, ata aspiruan jo gjërat e kufizuara dhe të fundme të kësaj bote, por gjërat e pafundme dhe të pashtershme që gjenden te Allahu (xh.xh.). Të gjithë besimtarët duke filluar që nga miqtë e të Dërguarit të Allahut, të cilët preferuan ezanin e Horasanit në vend të Medinës, e deri te të parët tanë, të cilët nuk hezituan të jepnin jetën për hir të Allahut, fesë, atdheut dhe gjërave të shenjta, i transferuan deri në ditët e sotme mbajtjen e premtimit ndaj Allahut (xh.xh.) dhe mosshitjen e fesë së tyre të pastër për asgjë përveç çmimit të saj si një frymë e Akabesë.
Situata nuk është ndryshe as sot. Feja është e qartë, çmimi është i qartë. Tregu i kësaj bote është një treg ku secili ofron veten e tij dhe përfundimisht pranon një çmim në një mënyrë ose në një tjetër. Këtu të gjithë e nxjerrim veten në shitje çdo ditë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), na thotë se kjo është kështu: “Çdo njeri ngrihet çdo mëngjes dhe e ofron shpirtin e tij për shitje. Disa e çlirojnë atë dhe disa e shkatërrojnë.” (Muslim, Tahare, 1.) Të vërtetën që tregon për secilin se çfarë çmimi pranon, e nxjerr në pah përkushtimi dhe vepra e tij që ka bërë për atë çmim. Besimtari është njeriu që e cakton çmimin e vet sipas çmimit të caktuar nga Allahu (xh.xh.). Ai çmim në Akabe është përcaktuar si xheneti në këmbim të pasurisë dhe jetës.
Përveç këtij çmimi, çdo çmim tjetër për të cilin bihet dakord, i përket kësaj bote. Çdo çmim që i përket kësaj bote është i numëruar, i kufizuar. Prandaj, është një humbje, është dëm. Ata që kënaqen me vlerat e përkohshme e kanë shitur besëlidhjen me Allahun. Kjo do të thotë shitje e fesë.
Ata që i shesin besëlidhjet e tyre me Allahun me çmime të ulëta edhe pse vlera e tyre është e caktuar, janë ata që e ulin vlerën e shpirtit të tyre në nivelin e dynjasë. Atij që nuk ia di vlerën vetes, nuk do t’ia dijë vlerën askush. Dënimi më i madh që mund t’i jepet një njeriu në këtë botë është të pranojë këtë pavlefshmëri. Në të vërtetë, Allahu i ka dënuar ata që e harrojnë veten dhe besëlidhjen e tyre duke i bërë të harrojnë vetveten: “Mos u bëni si ata që e harruan Allahun dhe Allahu i bëri ata të harrojnë veten e tyre, ata janë të devijuarit.” (Hashr, 19) Të shesësh fenë do të thotë të harrosh Allahun. Rrjedhimisht kjo ndëshkohet me harresë të vetes. Ata që e meritojnë këtë dënim shpesh herë nuk janë të vetëdijshëm se në çfarë lloj mashtrimi gjenden. Sepse kushtet psikologjike, sociologjike dhe materiale të shitjes së fesë, si trillime të nxitura dhe të përgatitura nga një qëllim dhe orientim, nuk e tregojnë këtë mashtrim si mashtrim. Secili ka një çmim në tregun e kësaj bote dhe secili e ka blerë pozicionin e tij. Psikologjinë e kësaj blerjeje e përcakton pasioni dhe entuziazmi; sociologjinë e saj e përcakton kolltuku, pozita, statusi dhe klasa dhe ekonominë e saj e përcakton zgjedhja e stilit të jetesës.
Shitja e fesë nga ana e njeriut fillon me një orientim psikologjik. Së pari ndryshon qëllimi (nijeti). Pastaj perceptimi… Çdo shitje ka një proces bindjeje. Edhe në shitjen e besëlidhjes me Allahun, sigurisht që ka një arsyetim të përzier me teka. Më pas kërkohen perceptime të afërta. Ata që nuk duan të jenë vetëm në vendin që kanë zgjedhur, gjejnë miqtë e tyre të pasionit. Ky është socializim. Socializimi e imponon njeriun me një mënyrë jetese që përcakton gjithashtu edhe ekonominë e tij me kalimin e kohës. Ata që e shesin besëlidhjen me Allahun (xh.xh.), në këtë mënyrë, në të vërtetë fillojnë të shkojnë drejt fundit të tyre në rrjedhën e një stili jetese, të menduari dhe rrjedhimisht një gjendje shpirtërore që e kanë blerë.
A nuk përjetojnë të njëjtën përvojë edhe besimtarët që e kanë blerë besëlidhjen me Allahun (xh.xh.)? Procesi nuk është i ndryshëm. Dallimi është se me çfarë disponimi dhe motivi dhe me kë zgjedhim të jemi, dhe më e rëndësishmja, kujt i drejtohemi mes shitësve që na kërkojnë për të na blerë. Sepse të gjithëve u jepet ajo që dëshirojnë dhe përsëri të gjithëve u lehtësohet rruga në të cilën ecin: “Sa për atë që dëshiron këtë botë, Ne shpejtojmë që t’i japim çfarë të dëshirojmë atij që duam. Pastaj ia caktojmë atij Xhehenemin, në të cilin ai do të përvëlohet, duke qenë i turpëruar dhe i dëbuar. Sa për atë që dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të me gjithë shpirt e duke qenë besimtar, përpjekja e tij do të shpërblehet. Ne i mbështesim të gjithë me dhuratat e Zotit tënd: edhe këta, edhe ata. Dhuratat e Zotit tënd nuk i mohohen askujt.” (Isra, 18-20)
Po, bujaria e Zotit (xh.xh.), nuk është e kufizuar. Secilit do t’i jepet ajo që dëshiron. Secilit do t’i jepet mundësia që t’ia shesë veten kujt të dëshirojë. Kush, në këmbim të çfarë gjëje, me çfarë çmimi është i gatshëm të pranojë? Ata që dëshirojnë të shfaqin këmbëngulje në besëlidhjen me Allahun (xh.xh.), të mos e shesin fenë e Allahut dhe për rrjedhojë të zgjedhin çmimin më të përshtatshëm për shpirtin e tyre, duhet të jenë ndër të devotshmit dhe të sinqertët që e kanë bërë këtë synim ëndërr të tyre dhe duhet ta vendosin përpjekjen për të jetuar si mysliman në krye të të gjitha përpjekjeve. Përndryshe, ata që e kuptojnë, e dinë se tregu është shumë i keq.