Allahu do ta plotësojë dritën e Tij

Mehmet Lutfi Arsllan

Allahu do ta plotësojë dritën e Tij dhe do t’i vë frerët e botës (udhëheqjen) në duart e njerëzve të devotshëm. Por realizimi i kësaj është i lidhur me ngritjen tonë në gradën e devotshmërisë. Dhe kjo nuk do të realizohet pa i edukuar nefset tona. Ne nuk do ta arrijmë devotshmërinë derisa ta bëjmë dritë nefsin, zemrën dhe trupin tonë dhe derisa ta bëjmë dritën e Allahut (xh.xh.), të dominojmë në tokë, e cila na është dhënë si amanet.

Abdullah ibn Amri (r.a.), kishte një fletore që e quante Sahifetu’s-Sadika, në të cilën kishte mbledhur hadithe. Një ditë, pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ai u pyet nëse Roma apo Stambolli do të çlirohej më parë. Hz. Abdullahu e nxori fletoren e hadithit, i hodhi një sy dhe u përgjigj siç vijon:

“Ndërsa po rrinim rreth të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe po shkruanim një hadith fisnik, dikush pyeti: <<Cili nga qytetet do të çlirohej më parë, Stambolli apo Roma?>> I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, u përgjigj kështu:

<<Së pari do të çlirohet Stambolli, qyteti i Herakliut.>>

Stambolli vetë u çlirua nga një ushtri e bukur dhe nga një komandant i bukur. Tani është radha e Romës. Ajo është në pritje për t’u çliruar. Kjo është molla jonë e kuqe (qëllimi ynë). Çlirimi i Romës është një horizont i vendosur para nesh nga vetë i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ky horizont, i cili është vendosur më shumë se 1400 vjet më parë, kur të mendohet bashkë me premtimin se Allahu Teala do ta plotësojë dritën e Tij, atëherë do të thotë se do të realizohet në mënyrë të sigurt.

Toka është e Allahut. Këtu herët apo vonë do të mbizotërojnë mirësia dhe e vërteta, përpjekjet e atyre që shkatërrojnë do të shkojnë dëm dhe Allahu (xh.xh.), me siguri do ta plotësojë dritën e Tij. Fakti që Allahu do ta plotësojë dritën e Tij, do të thotë se e vërteta përfundimisht do të mbizotërojë mbi supozimet dhe gabimet që mendohen se janë të drejta. Islami në këtë kontekst është e vërteta më e madhe. Me siguri do të dalë në pah se ai është i vetmi sistem shpëtimi dhe lumturie. Allahu është drita e qiejve dhe e tokës.

Shfaqja e asaj drite është Islami, është Kurani, është i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Përsosmëria e njeriut realizohet me dritë. Ai duhet të jetë në përpjekje të vazhdueshme për ta shtuar dritën e tij. Të duash që drita të shtohet, do të thotë të duash të jesh në siratu’l-mustekim. Ky drejtim, të cilin e kërkojmë dyzet herë në ditë, është një qëllim që e ëndërrojmë aq shumë saqë, kurrë nuk duhet t’i mungojë gjuhës si lutje:

“O Zoti ynë! Na e plotëso dritën tonë dhe na fal. Pa dyshim, fuqia Jote mjafton për çdo gjë.” (Tahrim, 8) Kjo lutje gjendet edhe ndërmjet duave të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.): “O Allah! Më jep dritë në zemër, në sy, në veshë, djathtas, majtas, sipër meje, poshtë meje, para meje, pas meje dhe ma shto dritën.” (Buhari, “Da’avat”, 9.)

Mendja e ndritur është mendja e devotshme. Kjo mendje e koncepton anën e brendshme të ngjarjeve. Ajo e di se kush janë njerëzit dhe se kë duhet të vlerësojë e sa duhet ta vlerësojë. Megjithatë, në këtë botë, e cila është një vend i shtypjes, shkujdesjes dhe mashtrimit, shumë pak njerëz e arrijnë përsosmërinë e mendjes ose të gjithë dritën. Ahireti (bota tjetër) është koha kur do të hiqen perdet dhe do të dihet dallimi mes të vërtetës, dritës dhe mendjes. Ja pra, atëherë gjithçka do të zbulohet qartë: “Ti ishe në shkujdesje dhe sot ne ta kemi hequr perden. Tashmë sytë e tu janë të mprehtë.” (Kaf, 22)

Plotësim i dritës do të thotë që mendja të përsoset dhe që çdo pjesë e trupit të shkëlqejë me këtë dritë e të ketë një qëndrim dhe ecje në harmoni me dritën e tokës dhe të qiellit. Një nivel i tillë do të thotë jo vetëm shpëtim nga errësira, por edhe një degë e vetë dritës. Sepse Allahu, i cili është “en-Nur”, është edhe burimi i dritës: “Allahu është Drita e qiejve dhe e Tokës. Drita e Tij shëmbëllen me atë të një kamareje, në të cilën ndodhet një llambë. Llamba është në një kristal, kurse kristali është si një yll i shndritshëm. Ajo (llamba) ndizet nga druri i bekuar i ullirit, as lindor, as perëndimor, ndërsa vaji i saj shkëlqen edhe pa e prekur zjarri. Dritë sipër dritës. Allahu udhëzon drejt dritës së Tij kë të dojë dhe paraqet shembujt për njerëzit. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” (Nur, 35)

Plotësimi i dritës tek njeriu do të thotë përsosmëri e mendjes, e cila është mjeti për të ndarë dritën nga errësira, të drejtën nga e gabuara dhe të mirën nga e keqja, kurse përsosmëria e mendjes është devotshmëria. Devotshmëria është një gradë drejt së cilës mund të shkohet me qëllimin dhe përpjekjen e njeriut, por që mund të arrihet vetëm me mirësinë e Zotit (xh.xh.). Njeri i devotshëm do të thotë njeri i mirë, i mbarë, i dobishëm dhe i rregullt, pra është i kundërti i ngatërrestarit dhe prishësit. Mallrat më të pastra dhe hallall janë ato më të mirat, fëmijët më të mirë janë fëmijët e devotshëm, populli më i virtytshëm është populli i devotshëm, veprat më të pranuara janë veprat e mira, gratë më të dëlira janë gratë e devotshme dhe njerëzit më të mirë janë njerëzit e devotshëm. Allahu i ka ndarë njerëzit pjesë-pjesë (shik. A’raf, 168), duke i përshkruar ata si disa të devotshëm dhe disa që nuk e kanë arritur dot këtë gradë.

Të jesh i devotshëm do të thotë të bësh vepra të mira. Të devotshmit janë një grup që përkujtohet me profetët, të sinqertët dhe dëshmorët. Ata janë njerëz që e besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, urdhërojnë të mirën dhe e ndalojnë të keqen dhe garojnë në vepra të mira. Miku i tyre është Allahu, mbrojtësi i tyre është përsëri Allahu (xh.xh.). Të devotshmit janë besimtarë të zgjedhur të cilët kanë marrë selamin e të Dërguarit të Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe selamin e  Allahut (xh.xh.), që përmenden të tehijjat. Ata kanë një pozitë të lakmueshme. Aq shumë saqë në lutjet e shumë profetëve gjendet kërkesa për t’u bashkuar me të devotshmit:

Ibrahimi, alejhi’s-selam, u lut: “O Zoti im! Më jep urtësi dhe më përfshi në mesin e të devotshmëve.” (Shuara, 83) Po ashtu, u lut që djali i tij të ishte prej të devotshmëve: “O Zot! Më jep (një djalë) prej të devotshmëve!” (Saffat, 100)

Edhe Jusufi, alejhi’s-selam, iu lut Zotit: “O Zoti im, që i ke krijuar qiejt dhe tokën nga asgjëja! Ti je kujdestari im, ma merr jetën si mysliman dhe më përfshi në mesin e robërve të Tu të devotshëm!” (Jusuf, 101)

Edhe Sulejmani (a.s.), kërkoi që të ishte me të devotshmit duke u shprehur: “…O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më prano, me mëshirën Tënde, në gjirin e robërve të Tu të devotshëm!” (Neml, 19)

Edhe për Jahjanë (a.s.), i cili iu dha si përgëzim Zekerijas, alejhi’s-selam dhe emri i të cilit është vendosur nga Allahu, është përdorur shprehja i devotshëm: “…Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjanë, i cili do të vërtetojë Fjalën e Allahut (Isanë a.s.), do të jetë një fisnik, i dëlirë dhe profet, një prej të devotshmëve.” (Al Imran, 39)

Të devotshmit, të cilët përpiqen të zënë vend ndërmjet pejgamberëve dhe të përfshijnë aty edhe pasardhësit e tyre, janë ata që bëjnë vepra të mira dhe këshillojnë të vërtetën dhe durimin. Slogani i tyre është rregullimi, kurse ajo që e kundërshtojnë është prishja. Jetën e tyre e kalojnë me përpjekje për shfaqjen e së mirës dhe së drejtës. Disa e shohin rezultatin e kësaj përpjekjeje si trashëgim të tokës derisa janë gjallë, ndërsa të tjerë e shohin atë si rend në fushën e pushtetit. Por në një mënyrë apo tjetër, të devotshmit do ta trashëgojnë tokën. Kjo trashëgimi ndodh me përfaqësim ose me të vërtetë në jetën e kësaj bote, dhe në të vërtetë në botën tjetër.

Kjo botë është një shtrat, i cili është përgatitur dhe shtrirë për të devotshmit, në të cilin ka male, lumenj, rrugë dhe gjallesa, i zbukuruar me gjelbërim dhe kafshë, i mbjellë me një shumëllojshmëri të madhe bimësh. Është një mundësi meditimi, i zbukuruar me argumente të ndryshme, për ata që mendojnë dhe marrin mësim. Viza e xhenetit është në këtë botë. Në fund të sures Zumer, njerëzit e devotshëm që do të dërgohen në xhenet grupe-grupe do ta lavdërojnë Allahun duke thënë: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili na qëndroi besnik në premtimin e Tij dhe na ka bërë trashëgimtarë të tokës. Në xhenet mund të qëndrojmë ku të duam. Sa i bukur është shpërblimi i atyre që punojnë.” (Zumer, 74)

Të devotshmit janë me Zotin përderisa të jenë të devotshëm, sepse Zoti u ka premtuar atyre tokën. E vërteta e shprehur në librin tonë: “Nëse një njeri i shtypur në një vend dëshiron të shpërngulet, ai do të gjejë shumë vende të frytshme dhe hapësira për të shkuar në tokë.” (Nisa, 100), del në pah me të devotshmit. Të devotshmit janë kaq të rëndësishëm për sa u përket qëllimeve të tyre, saqë ne duhet t’i kuptojmë jo ata nga vendi ku kanë shkuar, por vendin me ata. Është fryma e devotshmërisë ajo që e bëri Jethribin Medine. Në këtë kuptim, devotshmëria është edhe emri i kuptimit, bollëkut, vullnetit dhe dëshirës… Dhe më e rëndësishmja, devotshmëria është adresa e dritës.

Ne jemi trashëgimtarët dhe shërbëtorët e premtimit se Allahu do ta plotësojë dritën e Tij. Ky premtim është edhe ëndrra, edhe realiteti ynë. Kjo e vërtetë na është bërë borxh në qafë me ajetin: “Ne shënuam në Zebur, pas Teuratit, që tokën (e Xhenetit) do ta trashëgojnë robërit e Mi të devotshëm.” (Enbija, 105) Allahu me siguri do ta plotësojë dritën e Tij. Ne jemi këtu për t’u bërë shkak për këtë. Të devotshmit do ta trashëgojnë tokën. Ne kemi ardhur për t’iu bashkuar atyre njerëzve të devotshëm.

Kushti i trashëgimisë është të jesh i devotshëm dhe të qëndrosh kundër prishjes. Ne kemi ardhur për të trashëguar tokën dhe për t’u bashkuar me të devotshmit. Andaj detyra jonë është: Të ndihmojmë të mirën dhe të parandalojmë të keqen. Kjo kauzë është kauza e Islamit, e cila nuk ka ndryshuar që nga koha e Ademit (a.s.). Allahu i ka dërguar pasardhësit e Ademit (njerëzit) për të qenë të devotshëm dhe këtë e ka lidhur me kushtin e përpjekjes për vendosjen e mirësisë. Kushdo që ka punuar për këtë kuptim, Allahu e ka bërë atë qendër të tokës, sepse toka faktikisht ekziston për këtë përpjekje.

Çlirimi i Romës është horizonti përpara umetit. Nëse nuk ecim në këtë botë me këtë kuptim, nuk është e mundur që ne të jemi një umet i denjë për Profetin (s.a.s.). Paraardhësit tanë dikur kanë punuar për këtë kuptim, janë njohur me këtë përpjekje dhe Zoti ynë i ka bërë qendër të tokës. Edhe ne duhet të jemi trashëgimtarë të të njëjtit kuptim dhe si rrjedhojë, të tokës si ata. Trashëgimia është devotshmëri. Devotshmëri do të thotë të veprosh kundër prishjes kudo që ka dhe mobilizim për të rregulluar atë që kemi. Devotshmëri do të thotë të mos demoralizohesh, të mos kesh frikë,  të mos hezitosh dhe ta pranosh si detyrë përhapjen e emrit të lartë të Allahut në të gjithë rruzullin tokësor.

Kjo e vërtetë është një ligj hyjnor i pandryshueshëm: “…Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë çfarë kanë në vetvete…” (Rad, 11) Allahu do ta plotësojë dritën e tij dhe frerët e kësaj bote (udhëheqjen) do t’ua japë të devotshmëve. Por realizimi i kësaj është i lidhur me ngritjen tonë në gradën e devotshmërisë. Dhe kjo nuk do të realizohet pa i edukuar nefset tona. Ne nuk do ta arrijmë devotshmërinë derisa ta bëjmë dritë nefsin, zemrën dhe trupin tonë dhe derisa ta bëjmë dritën e Allahut (xh.xh.), të dominojmë në tokë, e cila na është dhënë si amanet. Zoti na dhëntë suksese!

Artikuj të ngjashëm