Sipas transmetimit nga Ebu Hurejra (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë: “Allahu i Madhëruar nuk ka dhënë asnjë sëmundje që nuk i ka zbritur shërimin.” (Buhari). Dhe përsëri, Imam Ahmedi transmeton nga Enesi (r.a.): “Vërtet, Allahu i Lartësuar e ka krijuar edhe shërimin në atë vend ku ka dhënë sëmundjen.” (Ebu Davud) Andaj është urdhëruar: “Atëherë, mjekohuni!” Me fjalë të tjera, do të thotë kërkoni dhe gjeni ilaçe.
Nga Xhabiri (r.a.), është transmetuar: “Për çdo sëmundje ka një shërim. Nëse sëmundja kurohet me ndonjë ilaç, Allahu i shëron njerëzit nga ajo sëmundje.” (Muslim) Ardhja dhe ikja (shërimi) e çdo sëmundjeje në fakt është me urdhër të Allahut Teala. Veprimi i lidhjes vetëm ndaj shkakut nuk është i përshtatshëm me tevekkulin (mbështetjen ndaj Zotit). Siç nuk është e drejtë të kapemi vetëm pas shkaqeve për të shuar urinë dhe etjen.
E pyetën Harith el-Muhasibiun: “O Harith, a përdorin ilaçe njerëzit që mbështeten te Zoti?”
“Po.”, tha ai. Atij i thanë: “Cili është argumenti yt për këtë?” Ai iu përgjigj: “I Dërguari i Allahut, Muhamed Mustafai (s.a.s.), që askush nuk ka gjasa ta arrijë atë në tevekkul, ai e përdori ilaçin derisa ishte në këtë gjendje (i sëmurë). Ky është argumenti.”
Ibn Kajjimi, rahimehull-llah, tregon se Ibrahimi, alejhi’s-selam, i tha Zotit:
“O Zot! Nga kush vjen sëmundja?” Zoti i Plotfuqishëm i tha:
“Vjen nga unë.” Ibrahimi, alejhi’s-selam, e pyeti:
“Po shërimi nga kush vjen?” Allahu i Lartësuar i tha:
“Vjen nga Unë.” Ibrahimi, alejhi’s-selam, i tha:
“Sëmundja vjen nga Ti. Edhe ilaçi vjen nga Ti. Atëherë, cila është puna e mjekut në mes?” Allahu Teala i tha: “Mjeku është personi që, nëse ia dërgoj shërimin atij, shërimi vjen.”
Profeti (a.s.), përdorte tri lloje ilaçesh: Lloji i parë ishin ilaçet hyjnore, lloji i dytë ishin ilaçet e mjekësisë. Kurse lloji tjetër (lloji i tretë) përbëhej nga dy të parët.
Siç dihet, Allahu i Madhëruar nuk ka zbritur një ilaç më të dobishëm se Kurani në eliminimin e sëmundjes.
Kurani Fisnik është shërim për të sëmurët dhe dëlirje për zemrën. Kështu, Allahu i Madhëruar thotë: “Ne po e zbresim atë gradualisht nga Kurani, i cili është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” (Isra, 82)
Sipas imam Fahru’r-Razit, Kurani është shërim në mënyrë absolute për sëmundjet shpirtërore dhe fizike.
Sëmundjet shpirtërore janë dy pjesë: Disa prej tyre janë besime supersticioze që kanë të bëjnë me uluhijetin, profecinë, këtë botë, botën tjetër, kadanë dhe kaderin. Kurani Fisnik përmban argumentet e rrugës së vërtetë të Zotit (xh.xh.). Ai i ka anuluar një numër besimesh supersticioze dhe sektesh të rreme. Një njeri që i njeh dispozitat e Kuranit është i sigurt nga këto besime supersticioze.
Disa nga sëmundjet shpirtërore përbëhen nga moral i ulët. Kurani Fisnik i ka shpallur përshkrimet dhe detajet e moralit të ulët, të këqijat dhe ligësitë e tij dhe ka inkurajuar moralin e lartë.
Shkurtimisht, Kurani Fisnik është shërim për të dyja pjesët e sëmundjeve shpirtërore.
Po kështu, nëse Kurani Fisnik lexohet me nijetin e teberrukut (begatisë) për eliminimin e sëmundjeve fizike, me lejen e Allahut është shërim për shumë sëmundje.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë: “Allahu nuk e shëroi atë që nuk kërkoi shërim me Kuranin Fisnik.” Ose, ka të ngjarë të nënkuptojë siç vijon: Domethënë, ai që nuk kërkon shërim me të, Allahu i Madhëruar mos e shëroftë!