Tevekkul / mbështetje, do të thotë t’i besosh asaj që është te Allahu i Lartësuar dhe të mos ua hedhësh sytë asaj që kanë njerëzit. T’i besosh premtimit të Allahut të Madhëruar dhe të kërkosh mbrojtje vetëm nga Ai në çdo lloj situate.
Ndërsa nënshtrim do të thotë të pranosh caktimin hyjnor, duke e pritur me kënaqësi shfaqjen e tij ndaj teje. Të qëndrosh i fortë në fe, pa ndryshuar në aparencë dhe në brendësi prej fatkeqësive që mund të të ndodhin. Këto të dyja janë dinamikat bazë që thurin personalitetin e myslimanit duke e mbrujtur me nënshtrim ndaj caktimit. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar urdhëron: “Mbështetu në të Gjithëjetshmin, i Cili nuk vdes dhe madhëroje Atë me falënderim! Ai i di mjaft mirë gjynahet e robërve të Tij.” (el-Furkan, 58.) Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “…Besimtarët le të mbështeten vetëm tek Allahu.” (Ibrahim, 11.) Allahu Teala u jep siguri robërve të Tij që i mbështeten, duke thënë: “…Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” (et-Talak, 3.)
Hadithi fisnik në të cilin i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, shprehet: “Nëse do t’i besonit Allahut siç duhet, (Allahu) do t’ju furnizonte me risk sikur furnizon zogjtë…” (Tirmidhi, Zuhd, 33.), na afron një shkallë më lart drejt perceptimit të urdhrit hyjnor në ajetet e mësipërme. Me këtë shembull gdhend në mendje një mësim që mund ta shikojë dhe ta marrë çdokush që është i mençur. Pastaj na mëson të lutemi në këtë mënyrë: “O Zot! Të jam nënshtruar, të kam besuar dhe të jam mbështetur Ty. Fytyrën e zemrën time e kam kthyer nga Ti dhe kam luftuar kundër armiqve me ndihmën Tënde.” (Buhari, Tehexhxhud, 1.)
Tani, njërin prej shembujve më të lartë në çështjen e mbështetjes dhe nënshtrimit ndaj Allahut Teala, duam t’jua japim nga hadithet fisnike të Pejgamberit, alejhi’s-selam. Ky shembull flet për nënshtrimin dhe mbështetjen ndaj Zotit (xh.xh.), që kishte Ibrahimi (a.s.) dhe familja e tij.
Sipas transmetimit të Abdullah ibn Abbasit, radijallahu anhu, historia e Ibrahimit, alejhi’s-selam, i cili me urdhrin e Allahut të Lartësuar e la bashkëshorten e tij Haxheren dhe birin e tij Ismailin afër një vendi ku do të ndërtohej Qabja, tregohet kështu në hadithin fisnik:
Ibrahimi, alejhi’s-selam, mori Haxheren dhe birin e tij, Ismailin (a.s.), i cili akoma nuk ishte ndarë nga gjiri dhe i çoi në Mekë. Ata i la nën një pemë të madhe që ndodhej në anën e sipërme të Qabes dhe të Zemzemit.
Atë kohë, në Mekë nuk kishte as njerëz dhe as ujë. Ja pra, Ibrahimi (a.s.), e la bashkëshorten dhe birin e tij në atë vend. Pranë u la një torbë me hurma dhe një enë me ujë. Pastaj u kthye dhe filloi të largohej, por Haxherja e ndiqte nga pas dhe i thoshte:
-Ibrahim! Përse po na lë në këtë luginë që nuk ka njerëz me të cilët mund të flasim dhe nuk ka asgjë për të ngrënë e për të pirë? Ku po shkon?
Këtë pyetje e përsëriti disa herë, por Ibrahimi (a.s.), nuk iu përgjigj. Më së fundi, e pyeti:
-Allahu të ka urdhëruar të veprosh kështu?
Ibrahimi (a.s.), iu përgjigj:
-Po, Allahu më ka urdhëruar.
Haxherja i tha:
-Atëherë, Ai nuk na humb ne. Pastaj u kthye pas dhe shkoi te foshnja që kishte në pelena. Edhe Ibrahimi (a.s.), vazhdoi rrugën. Kur arriti në vendin e quajtur Senije, ku nuk e shikonte më askush, u kthye nga ana e Qabes, i ngriti duart lart dhe u lut: “O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndjejnë dashamirësi për ta dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.” (Ibrahim, 37.)
Në vazhdimin e hadithit fisnik thuhet kështu rreth kësaj ngjarjeje, që iu bë dhuratë njerëzimit si shembull i lartë në nënshtrim dhe mbështetje ndaj Allahut Teala:
Haxherja i jepte gji Ismailit dhe pinte ujë nga ena. Së fundi, mbaroi uji në enë. Edhe vetë Haxheren, edhe birin e saj e zuri etja. Kur fëmija filloi të përpëlitej dhe të rrokullisej në tokë nga etja, Haxherja shkoi në kodrën më të afërt, Safa, për të mos parë gjendjen e birit të saj. Doli në majë të kodrës. Pastaj vështroi luginën, duke menduar se mos shikonte ndokënd, por nuk pa asnjë.
Pasi zbriti nga kodra dhe arriti në luginë, e mblodhi fundin e rrobës së saj që të mos e pengonte për të vrapuar. Pastaj filloi të vraponte me fuqinë e fundit të një njeriu që kishte ngelur në gjendje të vështirë. E kaloi luginën dhe shkoi në Merve. Doli në majë të kodrës, duke menduar se mos shikonte ndokënd, por prapë nuk pa asnjë. Ndërmjet këtyre dy kodrave, shkoi dhe erdhi shtatë herë.
Ibn Abbasi, radijallahu anhuma, në sqarim të këtij hadithi ka thënë: “I Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë: ‘Ja, për shkak të kësaj, njerëzit ecin me nxitim ndërmjet Safas dhe Merves.” (Buhari, Enbija, 9.)
Në vazhdimin e këtij hadithi të gjatë fisnik, tregohet për gjetjen e ujit të Zemzemit nga ana e Haxheres, ardhjen në Mekë të fisit Xhurhum dhe interesimin e vizitën që i bënte Hz. Ibrahimi (a.s.) familjes së tij, pasi Ismaili (a.s.), arriti moshën e pjekurisë dhe u martua.
Me këtë ngjarje historike shumë emocionuese, desha t’ju them këtë: Sjelljet tona janë të vlefshme në raport me nënshtrimin dhe mbështetjen që kemi ndaj Allahut të Madhëruar. Pra, janë të vlefshme aq sa jemi të kënaqur nga Ai (xh.xh.). Aq sa t’i mbartim këto vlera të vjetra në jetën tonë të përditshme, aq mund të bëhet edhe rregullimi i përkeqësimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore.
Më e rëndësishmja e të gjitha këtyre dhe puna më e begatë që mund të bëhet për të rregulluar njerëzimin, siç shprehet edhe në lutjen e Hz. Ibrahimit (a.s.), është vendosja e namazit në qendër të jetës dhe përpjekja për ta falënderuar Allahun e Lartësuar për mirësitë e pafundme që na ka dhënë.