Lindja e një fëmije vjen së bashku me padurimin, vështirësitë dhe merakun. Ajo është fillimi i një jete të re. Çdo i sapolindur është burim shprese për familjen e vet, por edhe për të gjithë botën. Ai është si një stoli e çmuar. Foshnja është një botë më vete që Allahu e dërgoi në tokë. Pavarësisht duarve e këmbëve të vogla, syve që akoma nuk janë qartësuar dhe gjuhës që nuk ka filluar akoma të kryejë funksionin e të folurit; ai është më i fuqishëm se njerëzit e rritur. Lidhja e tij me Zotin është e re. Mbase për këtë arsye, ai ka aromë xheneti. Dëshmitarët e kësaj mrekullie të krijimit përjetojnë njëkohësisht dy ndjenja të ndryshme që i bëjnë të qajnë e të qeshin në të njëjtën kohë. Teksa ndahen dy zemra që ishin brenda të njëjtit trup, askush nuk mund ta di me siguri, nëse bebja e vogël qan nga dhimbja e mbushjes së mushkërive me ajër apo nga ankthi i ardhjes në këtë botë të vështirë… Teksa lindja e tyre është burim lumturie për të tjerët, vdekja e tyre është një zjarr i tmerrshëm. Ato që vdesin pa lindur, ato që vriten, ato që vdesin akoma pa iu vendosur një emër… Ato kthehen në një dhimbje të turpshme e zemër të mbushur me dyshime. Ashtu si e thotë edhe poeti: “Fëmijët e vdekur që nuk u rriten”. Ndërkohë që ato do të ishin shpëtimtarët e botës.
Edhe bekim edhe përgjegjësi
Në shtëpinë ku vjen fëmijë, vjen lumturia. Në fakt lumturia nuk vjen vetëm. Fëmija që është mysafiri i ri i familjes sjell me vete përgjegjësi të madhe. Ai është mysafir i rëndë dhe i çmuar, dhe si i tillë meriton parapërgatitje të rëndësishme. Ndryshe prej asaj që mund të mendohet, parapërgatitjet nuk kanë të bëjnë vetëm me dhomat e zbukuruara, rrobat dhe gostitjet. Përgatitja më e mirë është një botë më e bukur, me më pak gënjeshtra, më pak zili e më pak negativitet. Po, shtëpia parapërgatitet për fëmijën , po bota si të mos e bëj të njëjtën gjë? Në këtë mënyrë bebja kthehet në përgjegjësi dhe sprovë të vërtetë. Specialisti i Qendrës Fetare Dr. Ylfet Gërkyly na kujton ajetin Kuranor: “Pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju. Allahu ka shpërblim të madh.” (et- Tegabun, 15) dhe shton se fëmijët , stolia e botës dhe drita e syve tonë, në të njëjtën kohë janë bekim i paçmuar dhe sprovë për ne. Çdo fëmijë duhet pranuar si një dhuratë e vyer që na ka bërë Zoti ynë, por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se, përveçse prindërit e kanë për detyrë që ta edukojnë fëmijën në mënyrën si na ka këshilluar Krijuesi ynë, realizimi i një përgjegjësie të tillë është e drejta e fëmijës tek prindi.
Nëse kujtojmë hadithin e Pejgamberit tonë: “Fëmija ka të drejtën e vet tek prindi.” (Muslim, Sijam, 183) kuptojmë se detyra e prindërit fillon shumë para lindjes së fëmijës. Në fund të fundit çdo gjë që prindi ha, pi , shikon dhe flet do të ndikojë tek fëmijët që do të vij në jetë. Ndikimi është më i fortë veçanërisht kur fëmija është në barkun e nënës. Në krijimin e çdo organi të ri shtohet ndikimi. Për shembull, kur fëmijës i krijohen veshët, prindërit duhet të bëjnë shumë kujdes me fjalët që thonë. Fëmija nuk ka përse të dëgjojë grindje, sharje e fjalë të këqija akoma pa ardhur në këtë botë. Asnjë prind nuk ka të drejtë që ta helmojë gjakun e fëmijës me zakone të këqija dhe as t’i ndot qelizat e pastra me gjëra të papastra.
Dr. Ylfet Gërgyly thotë se prindërit duhet të ndjehen falënderues që në momentin kur mësojnë se do të bëhen me fëmijë dhe duhet të gëzohen pavarësisht gjinisë së fëmijës. Mos të harrojmë se Kurani Kerim na këshillon që të gëzohen për lajmin e ardhjes në jetë të fëmijës, pa dallim gjinie. (Nahl, 58-59). Sigurisht që falënderimi për një bekim kaq të madh nuk mund të mbetet me kaq. Fëmijës duhet t’i vendosim një emër të bukur duke marrë parasysh që me të do të thirret në ahiret. (Ebu Davud, Edeb, 61), Nëse është e mundur bëhet një kurban (Tirmidhiu, Edeb, 63, Edahi, 19) si shenjë e falënderimit. Ndërkohë që edhe vendosja e emrit është një edukim më vete dhe për ta bërë sa më mirë le të ndjekim shembullin e Pejgamberit tonë, i cili në veshin e djathtë i lexonte fëmijës ezanin ndërsa në të majtin i lexonte kametin më pas i jepte emrin. Në këtë mënyrë, fëmija i sapolindur në kontaktin e parë me botën e jashtme, njihej me emrin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kjo krijesë e vogël që në çastet e para të jetës njihet me ezanin, është e mirë që të ushqehet me bismilah dhe të vihet në gjumë me “La ilahe illallah”.
Pozita si nënë e si baba
Kjo krijesë e vogëlth, ka nevojë për kujdes dhe shërbim, por në të njëjtën kohë ai ka edhe fuqi të madhe ndryshimi. Ai ka aftësinë që një grua ta bëjë nënë dhe një burrë ta bëjë baba. Me qenien e tij, ai bën një njeri gjysh e një tjetër gjyshe. Ai ndryshon një shtëpi të tërë. Ky ndryshim nuk vjen vetëm me lumturi e gëzim por edhe me shqetësimet e lodhjet e veta. Ky është një ndryshim që ndikon tek jeta e përditshme, tek dita e nata. Mysafiri i vogël ka ndikim edhe tek marrëdhëniet mes familjarëve. Për shembull, nëse në familje është edhe një fëmijë tjetër, ai bëhet motër e madhe ose vëlla i madh. Interesi i familjes dhe dashuria e familjarëve ndryshon, sepse qendra e të gjtiha këtyre bëhet fëmija i vogël, por duhet bërë shumë kujdes që kjo dashuri e madhe të jetë e kontrolluar në mënyrë që të mos prishen ekuilibrat e familjes. Ja se çfarë mendon Psikoterapisti Dr. Timur Harzadin në lidhje me mënyrën se si duhet të sillemi me fëmijët e tjerë më të mëdhenj: “Prindërit duhet t’i përgatisin fëmijët e mëdhenj për ndryshimet që do të sjellë foshnja e sapolindur. Mos të harrojmë se është krejt normale që fëmijët e mëdhenj të ndjehen xhelozë për pak kohë. Në një situatë të tillë duhet bërë kujdes që të mos e gjykojmë ose ta tallim fëmijën. Në një kohë që dihet se fëmijët e vegjël nuk i shprehin dot qartë ndjenjat e tyre. Për këtë arsye mund të bëjnë prapësira si lagia e rrobave e gjëra të ngjashme. Zakonisht këto probleme nuk zgjasin shumë. Parapërgatitjet e prindërve e lehtësojnë mjaft këtë periudhë. Prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të mos lënë pas dore fëmijët e tjerë. Disa prej aktiviteteve që mund të zhvillohen janë edhe leximi i librave, zhvillimi i lojërave dhe bërja e pazarit. Nëse bebja kalon kohë si me babanë ashtu edhe me vëllain (motrën) e vet, ai arrin të krijojë njohe shpirtërore. Sigurisht që një gjë e tillë do të jetë e mirë për të tria palët.” Specialisti Dr. Harzadin tregon se ardhja në jetë e një fëmije të vogël, bën që disa prej nevojave të pjesëtarëve të tjerë të familjes të mos plotësohen dot. Në disa raste, vështirësitë që sjell pjesëtari i ri i familjes bëhen shkak për grindje në mes çiftit, por një gjë e tillë e bën të voglin “fëmijë të padëshiruar”. Shumë familje arrijnë që t’i kapërcejnë këto probleme në mënyrë natyrale.
Sigurisht që do të duhet kohë për të caktuar role të reja dhe për të ndarë detyrat, por kalimi është i suksesshëm vetëm nëse bëhet me mirëkuptim, dashuri dhe kujdes.
Nuk ka dyshim se ardhja në jetë e një fëmije, mbi të gjitha lodh nënën. Shtatzanisë dhe lindjes i shtohen edhe marrja e përgjegjësive të reja, pa bërë asnjë pushim. Sipas Islamit, gjatë asaj që quhet periudha e lehonës, si fëmija ashtu dhe nëna kanë nevojë për kujdes të veçantë. Sipas Dr. Ylfet Gërgyly: “ Në bazë të tipareve fizike dhe kushteve të ambientit mund të ketë variacione, por lehonia –në literaturën Islame quhet nifas- e gruas zgjat afërsisht 40 ditë. Gjatë kësaj kohe, gruaja nga njëra anë ka humbje gjaku ndërsa nga ana tjetër punon gjatë gjithë kohës për të plotësuar nevojat materiale e shpirtërore të pjesëtarit më të ri të familjes. Ajo përpiqet vazhdimisht që ta përballojë me sukses këtë tempo kaq të shpejtë. Mos të harrojmë se e ndodhur në një periudhë kaq delikate, gruaja ka nevojë për ndihmën e bashkëshortit dhe të gjithë të afërmve të tjerë prandaj duhet të përpiqemi shumë që t’ia lehtësojmë peshën e madhe që ka mbi supe.” Psikoterapisti Dr. Harzadin e shpreh rëndësinë e rolit të burrit në këtë mënyrë: “ Pjesëtarët e tjerë të familjes duhet t’i vijnë në ndihmë nënës. Këshillohet që babai të ketë një rol aktiv në mënyrë që kjo periudhë të kalojë pa probleme. Nëse burri krijon afërsi me beben dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, gruaja do ta ketë më të lehtë kapërcimin e kësaj periudhe.”
Nëse gruaja dhe burri i marrin përsipër përgjegjësitë e tyre që para se fëmija t’i hap sytë në këtë botë, ato do të fitojnë pozitën e të qenit prind. Nëse arrijnë t’i kryejnë detyrat e tyre me drejtësi, kënaqësia e tyre do të bëhet shkak që fëmijët të futen në xhenet. Le të kujtojmë fjalët e Resulullahut: “Nëna dhe babai janë nga sebepet më të mëdha që një njeriut t’i hapen dyert e xhenetit…” (Tirmidhiu, Birr,3) Bebja që i jep poste kaq të larta gruas dhe burrit, është një bekim dhe amanet i rëndësishëm. Për këtë arsye, çdo lindje është një lajm i mirë dhe ngjarje që meriton falënderim të sinqertë.