Metodat që nuk ruajnë imunitetin

Doç. dr. Fërat Erdogan

Shprehja “luftë pa paqe” është një përkufizim i mirë, si në aspektin e shëndetit fizik, ashtu edhe në atë shpirtëror. Ne jemi të ekspozuar ndaj sulmeve të armikut që me frymën e parë që marrim në këtë botë. Madje, këto janë rreziqe të shkaktuara nga njerëzit tanë më të afërm. Duke filluar nga infermierja që përpiqet të na peshojë pa i larë duart sipas rregullave, e deri tek vëllai dhe motra që duan të na përkëdhelin sapo vijnë nga shkolla, ka shumë faktorë të rëndësishëm që transmetojnë tek ne ushtarët e armikut të quajtur mikrobe.

Që të flasësh për “luftë”, duhen dy palë. Njërën palë e dimë; mikrobet. Po e dyta cila është? Është sistemi imunitar i trupit. Sistemi imunitar fillon të zhvillohet kur jemi ende në barkun e nënës. Por le t’i biem shkurt pa hyrë në detaje teknike: Sistemi imunitar lufton kundër armikut me anë të qelizave që prodhohen në shumë organe si palca e eshtrave, bajamet dhe shpretka.

Sapo vijmë në këtë botë, qelizat që na kalojnë nga nëna na mjaftojnë për ca kohë. Elementët imunitarë të formuar nga sëmundjet e nënës sonë sigurojnë mbrojtje për rreth 6-12 muaj. Pas kësaj, ne mësojmë fjalëkalimin e mikrobit dhe e ruajmë atë në arkiv, duke u vaksinuar ose duke e kaluar atë sëmundje.

Disa mikrobe, si fruthi, kanë vetëm një lloj dhe kalohen një herë në jetë. Kur përballet përsëri, trupi mund të mbrojë veten. Në 1846, gjatë një epidemie fruthi në Ishujt Faroe, vdiqën 2000 njerëz. Në atë kohë, kjo shifër ishte ndoshta gjysma e popullsisë së ishullit. Por, pse kaq humbje? Sepse në këtë ishull të vogël malor në mes të oqeanit, “fjalëkalimi” i fruthit ishte i panjohur, pasi askush nuk e kishte kaluar deri atëherë.

Me mikrobet e gripit, çështja bëhet pak më e koklavitur. Kjo, sepse edhe diversiteti është i madh, por edhe struktura antigjenike mund të ndryshojë. Madje, ato kanë numra identifikimi si ne;  këtë vit të sëmurin e ikin, ndërsa vitin tjetër ndryshojnë 1-2 shifra në numrin e identifikimit dhe arrijnë ta anashkalojnë sërish sistemin e mbrojtjes. Një mundësi tjetër, është edhe shfaqja e mikrobeve të sapo shpikura. Ashtu si në rastin e Koronës, disa specie nuk njihen nga sistemi ynë mbrojtës, pasi ato nuk gjenden në thelb te njerëzit. Por, kur bëhen “gjëra të panatyrshme” (për shembull, ngrënia e gjërave që nuk është e logjikshme të hahen nga njerëzit), ato ndryshojnë dhe fillojnë të shkaktojnë sëmundje te njerëzit.

Le të kthehemi përsëri në fushën e betejës.

Kur një person i shëndetshëm ndeshet me një mikrob, që ka kaluar njëherë më parë, ky armik eliminohet pasi është i njohur për trupin. Ose, sistemi imunitar është trajnuar me anë të vaksinës dhe, pavarësisht se mikrobi vjen për herë të parë, ai njihet nga sistemi dhe nuk lejohet të jetojë në trup.

Por, çfarë ndodh kur trupi bie në kontakt me një mikrob për të cilin ai nuk ka të dhëna? Pikërisht atëherë hyn në lojë sistemi imunitar.

Armiku analizohet dhe bëhet përcaktimi si bakter, virus, kërpudhë, etj. Menjëherë më pas, vendoset se cilat qeliza do të luftojnë dhe lufta fillon.

Kundër mikrobeve të rralla, siç është “tërbimi”, njeriu nuk ka asnjë shans. Madje, pas shfaqjes së sëmundjes, nuk raportohet pothuajse asnjë i mbijetuar. Në shumicën e rasteve, është mikrobi që nuk ka asnjë shans, sepse sistemi imunitar e shkatërron mikrobin me armët e tij të ndryshme.

Në fakt, mesazhi që duam të përcjellim në këtë artikull fillon pas kësaj pike. Si ta përmirësojmë dhe ta forcojmë sistemin tonë aktual të mbrojtjes?

Mendoj se lexuesit tanë që kanë lexuar me durim deri në këtë rresht, prindërit me fëmijët, ata që ranë në shtrat me virusin korona dhe u zgjuan me grip do të thonë; “tamam, këtë po prisnim edhe ne”.

Por na vjen keq, sepse nuk do të gjeni përgjigjen që prisnit.

Fatkeqësisht, nuk ka asgjë që rrit imunitetin.

Por ç’është më e keqja, jo vetëm që nuk ka asgjë që e rrit, por ka shumë armiq që e dobësojnë, shkaktojnë regresin dhe paaftësinë e tij.

Çështja më e rëndësishme është: Mos e lodhni dhe mos e shkatërroni sistemin tuaj të mbrojtjes që ju është dhënë/dhuruar.

Diabeti i pakontrolluar, pirja e duhanit -që është edhe haram-, kushtet e papërshtatshme të jetesës, kequshqyerja, etj., përbëjnë një listë të gjatë faktorësh që shkatërrojnë imunitetin…

Kemi parë shumë reklama; lule shtogu i zi, ilaç për çdo sëmundje, forcon imunitetin, thyen lloj-lloj mikrobesh, ose ekstrakt i farës së rrushit të zi, etj. A janë kot këto?

Siç e dini; kushti i provës i takon pretenduesit.

Por, në librat bazë që ne i pranojmë si ligj, nuk ka hyrë thuajse asnjë produkt i tillë, efekti i të cilit është vërtetuar.

Ne e kemi thënë edhe në numrat tanë të mëparshëm; le të shohim me kujdes burimin e informacionit. Nuk duhet t’u japim rëndësi “gjërave” të vetëshpallura, edhe nëse futen në kuti ilaçesh dhe shiten në farmaci.

Të mos keqkuptohemi: Nëse niveli i hekurit ose zinkut në trupin tuaj është i ulët (e vërtetuar nga testet laboratorike) kjo ju dobëson imunitetin dhe zëvendësimi i tij patjetër do t’ju ndihmojë. Por, nëse fëmijës që i rrjedhin hundët në dimër, i japim ilaç me hamendje, vetëm sa kontribuoni në ekonomi.

Mundësia e dytë, është mbështetja natyrale, me të cilën jemi plotësisht dakord.

Në dy studime të publikuara disa muaj më parë, njëri me 300 mijë dhe tjetri me 70 mijë pacientë, rezultoi se tek të moshuarit e avancuar, të cilëve iu dhanë një grusht vitaminash, këto suplemente, jo vetëm që nuk kontribuan, por rezultuan të dëmshme, sepse ato i mbështetën më shumë qelizat kancerogjene.

Në artikujt që kemi lexuar prej vitesh mbi përfitimet e vitaminave, është anashkaluar një pikë. Vitamina C është e dobishme, nëse merret nga portokalli; hekuri është i vlefshëm, nëse është brenda në trahana. Le të themi gjithashtu se; qëllimi i përfitimit konsiston në uljen e kohëzgjatjes së gripit dhe shkurtimin e kohëzgjatjes së ankesave.

Një tjetër molekulë e mrekullueshme e kohëve të fundit, janë probiotikët. Lidhur me përfitimet e tyre të ndryshme, ekzistojnë të dhëna shkencore. Megjithatë, edhe aty pranohen burimet natyrore. Nëse ato prodhohen duke përdorur burime natyrore si kosi, turshitë, kefiri dhe uthulla ato bëhen një kurë për shumë sëmundje, përfshi edhe ruajtjen e imunitetit.

Tani sezoni ka mbaruar, por gjithsesi le ta përmendim edhe këtë: A ju mbron vaksina kundër gripit?

Është e pamundur të rekomandohet përveç se për ata që bëjnë pjesë në grupet e rrezikut, si fëmijët me astmë ose sëmundje kongjenitale të zemrës dhe të moshuarit me SPOK (Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike). Sa përqind e mjekëve mendoni se marrin vaksinën kundër gripit? Sipas një studimi, shkalla e vaksinimit tek mjekët që punojnë në spitalin e sëmundjet e kraharorit, është 4.5%… Nuk ka nevojë për më shumë komente.

Mbase, çdo paragraf mund të shpjegohet në disa faqe, por le të mjaftohemi me kaq sa është rezervuar për ne.

Këshilla jonë, është të mos besoni në formulat magjike që janë përdorur dhe harruar një mijë vjet më parë dhe tani janë rizbuluar. Gjithashtu, as produktet që reklamohen sikur janë nxjerrë nga qindra metra thellësi prej Kanalit të La Manshit dhe prodhohen me teknologji hapësinore…

Një jetë e jetuar me pastërti të denjë për krijesën më të nderuar, do t’ju bëjë të lumtur në të dy botët.

Qofshi mirë…

Artikuj të ngjashëm