Hapja e një dritareje për zemrat e tymosura

Dr. Adem Ergyl

Sa’di Shirazi, një nga burimet ushqyese të traditës sonë të urtësisë dhe mençurisë, ka një thënie të bukur në lidhje me njeriun: “Njeriu është një qenie e përbërë nga një pikë gjaku dhe qindra mijëra shqetësime e probleme.” Po, është një derë e madhe mëshire për një rob që të arrijë të jetë i dobishëm në hapjen e dritareve të paqes dhe lumturisë në dhomat e ndërthurura të sprovës për një qenie si njeriu dhe të përpiqet t’i shpërndajë shumë re të pikëllimit dhe dëshpërimit që pushtojnë zemrën e tij.

Fjalitë e mëposhtme të Xhelaleddin Rumiut, hedhin dritë mbi këtë të mirë të madhe:

“Zemrat që përpëliten në varfëri e nevojë i ngjajnë një shtëpie plot tym. Andaj hap një dritare në atë shtëpi me tym duke dëgjuar shqetësimet e tyre, në mënyrë që të dalë tymi. Kurse ty të të zbutet zemra dhe të të lartësohet shpirti.”

Ata që ua lehtësojnë robërve të Allahut, jo ata që shkaktojnë vështirësi, janë robër të pranueshëm te Ai. Nëna jonë, Aishja, radijall-llahu anha, tregon siç vijon:

Në shtëpinë time e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), duke thënë:

“O Allah! Kushdo që merr përsipër administrimin e umetit tim dhe i shkakton vështirësi, edhe ti nxirri vështirësi. Kushdo që merr përsipër administrimin e umetit tim dhe sillet me butësi ndaj tyre, edhe ti sillu me butësi.” (Muslim, Imare, 19.)

Sipas asaj që transmetohet nga Aidh ibn Amri, radijall-llahu anh, ai shkoi te Ubejdullah ibn Zijadi (r.a.) dhe i tha:

“Biri im! E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), duke thënë: “Më të këqijtë nga udhëheqësit janë të pamëshirshmit dhe zemërgurët.” Bëj kujdes që të mos jesh një nga ata udhëheqës!” (Muslim, Imare, 23.)

Aq sa të jetë mirëkuptues, i mëshirshëm dhe i butë kryefamiljari ndaj anëtarëve të familjes, pronari ndaj punëtorëve dhe administruesit në çdo nivel ndaj atyre që kanë në vartësi të tyre, edhe Zoti ynë, i Cili është Zoti i botëve, do t’i trajtojë ata në të njëjtën mënyrë.

Sa sjellje e mirë është këshilla e shtetit tonë për të mbrojtur të varfrit, të pastrehët dhe të papunët, madje edhe punëdhënësit sidomos në këto ditë pandemie duke u thënë (punëdhënësve): “Ju ndihmojmë ne si shtet, në mënyrë që edhe ju të mos hiqni njeri nga puna.” Kush e di, ndoshta manifestime të tilla të mëshirës do të tërheqin mëshirën e Zotit mbi vendin tonë dhe ne do të shpëtojmë nga kjo fatkeqësi me mirësinë e Zotit (xh.xh.), pa humbje të tjera.

Transmetohet nga Hudhejfe, radijall-llahu anh, se:

Një nga robërit të cilit Allahu i kishte dhuruar pasuri u soll para Allahut të Madhëruar. Allahu Teala e pyeti:

– Çfarë ke bërë në dynja?  Robi i tha:

– O Zot! Ti më pate dhënë pasuri. Kështu që unë bëja tregti me njerëzit. Ishte zakoni im të tregoja lehtësi në shitblerje. Ua lehtësoja të pasurve dhe u jepja afat të varfërve. Nisur nga kjo, Allahu i Madhëruar i tha:

“Unë jam më i denjë për këtë se ti.” Andaj (engjëjve) u tha: “Faleni robin Tim!”

Ukbe ibn Amiri dhe Ebu Mes’ud el-Ensariu, radijall-llahu anhuma, kanë thënë:

“Ne e kemi dëgjuar këtë kështu nga goja e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të.” (Muslim, Musakat, 29.)

Po, ndihma ndaj atij që ka borxhe dhe atij që është në vështirësi, veçanërisht në kohë të tilla të vështira që po kalojmë, dhe shfaqja e lehtësisë ndaj robërve të Zotit nga ata që kanë mundësi, do të jetë e dobishme për hapjen e shumë dyerve të mëshirës dhe kush e di, ndoshta do të kthehet në një çelës për hyrjen në xhenet të tyre. Kjo për shkak se Zoti (xh.xh.), tërheq vëmendjen për këtë çështje të ndjeshme si më poshtë dhe pothuajse u tregon robërve të Tij derën për fitimin e të ardhurave të mëdha:

“Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit) derisa ta përmirësojë gjendjen. Por është më mirë për ju që t’ia falni borxhin, veç sikur ta dinit.” (Bekare, 280)

Sipas asaj që transmetohet nga Ebu Hurejre, radijall-llahu anh, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë:

“Ishte një njeri që u jepte para njerëzve hua. Ai i thoshte shërbëtorit të tij:

“Kur të shkosh te një i varfër në vështirësi, fale atë. Shpresojmë që edhe Allahu t’i falë mëkatet tona. Më në fund, ai njeri shkoi te Allahun (ndërroi jetë) dhe Allahu e fali atë.” (Buhari, Enbija, 54; Muslim, Musakat, 31.)

Ka periudha kur ndjeshmëria dhe brishtësia e njerëzve shtohen. Ka raste kur njeriut i ndërron jetë një i afërm, kur është në telashe të mëdha, kur bie në gjendje nevojtari ndërkohë që ishte i pasur, kur e humbet statusin prestigjioz që kishte dhe shumë të tjera… Në momente të tilla bota shpirtërore është jashtëzakonisht e brishtë. Është një mirësi shumë e madhe për njerëzit pranë dhe afër tij, për miqtë e tij dhe ata që janë në pushtet e që kanë mundësi që ta rrisin interesin  e tyre ndaj një njeriu në situatë të tillë dhe ta ndihmojnë atë sa më shumë. Ata që kanë rënë në situata të tilla e dinë shumë mirë se sa e madhe është të ngjallësh shpresë tek të pashpresët, t’u japësh kurajë atyre që janë dekurajuar, t’i këshillosh ata për durim me fjalë të mira dhe ndoshta më e rëndësishmja, t’i dëgjosh dhe të lutesh solemnisht për ta për t’u treguar që e kuptoni gjendjen e tyre. Fakti se “një prej adhurimeve më të rëndësishme pas farzeve është t’u japësh lumturi zemrave të njerëzve” (Taberani, Kebir, XI, 71/11079), kuptohet shumë më mirë në momente të tilla.

Të shfaqësh sjellje të mira që nuk mbjellin largësi, mëri dhe armiqësi në zemra, por që marrin lutje nga shumë të tilla është shenjë e përsosmërisë (pjekurisë). Kohët e vështira janë sezone korrjesh të frytshme për ata që kanë mundësi dhe fuqi, nëse i shndërrojnë në kapital të ahiretit të tyre.

Do të doja të flisja për një ngjarje që më vjen në mendje meqë po flasim për lutjen dhe që më ka prekur mua shumë. Haxhi Muamer Topbashi, vëllai i Sahibu’l-vefa Musa Efendiut, është një personalitet i lartë dhe bujar. Madje ai është aq shumë bujar saqë mori komplimentin e Hazreti Musa Efendiut: “Muameri është më bujari në familje.” Sipas asaj që tregon zoti Ali Ulvi Kurucu, kur iu prish puna zoti Muamerit në vitin 1975, fjalët që tha për të një mik i tij nga Shoqata “Ilim Jajma”, zoti Fehmi Bilge, dëshmojnë se ai ishte një njeri i devotshëm që i ndihmonte besimtarët dhe nxitonte për të bërë bamirësi.

Zoti Fehmiu u paralizua afër vdekjes së tij. Djali i tij Mustafa Bilge tregon:

Erdha në shtëpi një mbrëmje. Babanë e gjeta duke qarë. U mërzita dhe e pyeta.

“Baba, a të janë shtuar shumë dhimbjet?” Babai më tha:

“Jo bir, nuk po qaj për veten dhe dhimbjet e mia. Zoti Muamerit i ishte prishur biznesi, andaj po qaj. Sepse nënat nuk mund të lindin më një Muamer. Ne kemi punuar me të te Ilim Jajmaja për më shumë se njëzet vjet. Ai ishte më bujari, ai që fliste më pak dhe ai që ulej më afër derës (më modesti) ndërmjet nesh. A mund të gjendet një njeri i tillë?”

Po, atyre që hapin një dritare paqeje dhe frymëmarrjeje për zemrat e dëshpëruara Zoti (xh.xh.), u hap shumë dritare. Lusim Zotin e Madhëruar për mëshirë hyjnore që do t’i shtojë mëshirë mëshirës sonë në këtë muaj të mëshirës, ​​Ramazanit Fisnik!

Artikuj të ngjashëm