Edukata e lutjes

Mehmet Lutfi Arsllan

Amr ibn Asi, radijall-llahu anh, i cili çliroi Kudsin në vitin 640, mendonte se Egjipti ishte objektivi i radhës për t’i dhënë fund dominimit bizantin në rajon. Ai e informoi kalifin, Hz. Omerin, radijall-llahu anh, për situatën dhe i kërkoi leje për të përparuar. Kur erdhi miratimi, u nis me ushtrinë e tij prej 4000 vetash dhe hyri në Egjipt. Banorët vendas, të cilët ishin tërësisht të tronditur nga administrata bizantine, e pritën me entuziazëm ardhjen e myslimanëve. Megjithatë, përparimi u ndal pas një kohe. Kur Amri (r.a.), njoftoi se duhet të vijnë përforcime nga qendra, në mënyrë që çlirimi të ishte më i shpejtë, Hz. Omeri i dërgoi një letër Amrit së bashku me një forcë shtesë prej pesë mijë vetash. Në këtë letër, kalifi rendiste disa rekomandime që duheshin bërë për të marrë ndihmën hyjnore.

Përmbajtja e kësaj letre, e cila pasqyronte linjat e karakterit të Omerit (r.a.), është shumë e rëndësishme në këtë trazirë ku qeniet njerëzore iu dorëzuan një virusi të padukshëm dhe i kthyen sytë nga qielli. Hz. Omeri e nxori në pah me një largpamësi që e shfaqte qartë cilësinë e tij Faruk (ai që e ndan të vërtetën nga e pavërteta) se në cilat kushte mund të vinte ndihma hyjnore dhe se çfarë duhej bërë për këtë në planin njerëzor. Në këtë mënyrë shfaqi një shembull të shkëlqyer të udhëheqjes. Përsëri, kjo letër është një dokument interesant që tregon qëndrimin e kalifit, i cili ishte i mallëngjyer për të shprehur dëshirën e tij më të madhe në jetë në formën “një dhomë plot me burra si Ebu Ubejde ibn Xherrahu”, duke theksuar kështu përcaktuesin bazë të cilësisë së njeriut. Le ta lexojmë:

“O Amr! Jam shumë i habitur që ende nuk e keni çliruar Egjiptin. Ju keni luftuar me ta për një kohë të gjatë. Për mendimin tim, arsyeja pse nuk ia keni dalë mbanë është sepse ju keni filluar ta doni botën si ata dhe keni shpikur disa risi. Allahu i Madhëruar i ndihmon vetëm ata që kanë qëllim të sinqertë. Unë po të dërgoj katër persona për t’ju ndihmuar. Këta persona janë Zubejr ibn Avvami, Mikdad ibn Esved ibn Amri, Ubade ibn Thabiti dhe Mesleme ibn Muhal-ledi. Nëse bota që i mashtron të tjerët nuk i ka mashtruar ata, secili prej këtyre personave vlen sa një mijë persona. Kur ta marrësh letrën time, mbaj një hytbe dhe inkurajoji ushtarët që të luftojnë kundër armikut me nijet të sinqertë duke shfaqur durim e rezistencë. Thuaju atyre të luftojnë si një trup i vetëm, si të ishin një njeri! Futi ndërmjet ushtarëve edhe ata katër personat! Aktivizoje ushtrinë ditën e xhuma (e premte) menjëherë pasi dielli të kalojë kupën e qiellit! Sepse në atë orë zbret mëshira hyjnore dhe lutjet pranohen. Së bashku, lutjuni Allahut me zë të lartë dhe kërkojini Atij t’ju ndihmojë kundër armiqve tuaj.”

Në këtë kohë kur një virus e ka futur jetën tonë në ngërç, a nuk jemi pikërisht ne adresuesit e deklaratave në këtë letër të cilët kemi nevojë për ndihmën e Allahut? Ne kemi filluar ta duam këtë botë si të pafetë, kemi shpikur bidate dhe kemi prishur nijetin tonë. Atëherë Allahu Teala na e ngushtoi të gjithëve këtë botë, e cila nuk ka vlerë as sa krahu i një mize te Ai. Fakti që nuk jemi në gjendje të jetojmë ashtu siç jemi mësuar, na i shtrëngoi zemrat. Kjo tokë e shtrirë me gjithë gjerësinë e saj, malet e vendosura, lumenjtë, bimët, frutat, kafshët dhe ardhja në mënyrë të vazhdueshme e natës dhe ditës, u zhdukën nga sytë tanë në një çast. Të gjitha ishin shenja nga të cilat duhej të merrnim mësim, por ne nuk morëm. Atëherë u shfaq një shenjë tjetër me gjithë madhështinë e saj: “A nuk e shohin ata se Ne po ua zvogëlojmë tokën nga skajet e saj? Allahu gjykon, dhe askush nuk mund ta thyejë gjykimin e Tij; Ai është i shpejtë në llogari.” (Rad, 41)

Si zvogëlohet toka? Ja, virusi na e tregoi këtë. Ai Fuqiploti Suprem, që zgjeron dhe ngushton gjithçka, papritmas gjykoi në atë mënyrë që toka, pavarësisht nga pafundësia e saj, filloi të na dukej e ngushtë të gjithëve. Fuqia marramendëse (e njeriut) u kthye në shtypje e poshtërim. Askush nuk mundi ta largonte atë që ndodhi, as nuk mundet. Allahu i Madhëruar e kreu punën në një çast, me një lëvizje dhe me një shpejtësi të madhe. Ai deshi dhe gjithçka ndodhi. Nëse tani nuk do të dojë Ai, kush mund të na kthejë tek gjendja jonë e mëparshme?

Ai mund të na kthejë në gjendjen tonë të mëparshme. Askush tjetër nuk mund të na bëjë dobi. Pa marrë parasysh se çfarë lloj shqetësimesh i ndodhin njeriut përgjatë jetës, të gjitha ato dhe zgjidhjet për to janë vetëm prej Tij. Është e pamundur që njeriu të jetojë pa ndihmën hyjnore. Kurse ndihma hyjnore ka disa kushte. Sipas shprehjeve të mësipërme në letrën e Omerit, radijall-llahu anh, i njohur për largpamësinë dhe mendjemprehtësinë e tij, këto zgjidhje janë: Rregullimi i nijetit, shfaqja e durimit dhe rezistencës, të qenët një dhe përgjërimi ndaj Allahut me përkushtim.

Përgjërimi ndaj Allahut (xh.xh.), ka momente të caktuara. Letra e përshkruan atë si të premten pas zenitit. Në këtë kohë zbret mëshira dhe pranohen lutjet. Një kusht tjetër është që përgjërimi të bëhet me zë të lartë. Lutjet, tekbiret dhe dhikri me zë të lartë tërheqin mëshirën. Në veçanti, tekbiri është një mundësi e rëndësishme për të ardhur ndihma e kërkuar. Kjo mundësi nuk i është dhënë kurrë asnjë umeti më parë. Kjo është e qartë në fjalët e mëposhtme të Sad ibn Ebi Vakkasit, radijall-llahu anh, drejtuar ushtarëve të tij para një lufte:

“Mos u largoni nga vendet tuaja dhe mos lëvizni kurrë deri pas faljes së namazit të drekës. Pas faljes së namazit të drekës, do të them një tekbir. Pastaj edhe ju thoni tekbir pas meje. Dijeni se ky tekbir nuk i është dhënë askujt dhe asnjë populli para jush. Ky tekbir ju është dhënë për përforcim. Pastaj do të them një tekbir të dytë. Pastaj edhe ju jepni tekbir dhe përfundojini përgatitjet tuaja. Kur të them tekbir për të tretën herë, edhe ju jepni tekbir përsëri. Pastaj kalorësia le t’i inkurajojë të tjerët të luftojnë dhe të zmbrapsin armikun. Në tekbirin e katërt, sulmoni të gjithë së bashku dhe në të njëjtën kohë thoni: “La havle vela kuvvete il-la bi’l-lah!”

Ndihma kërkohet nga Allahu (xh.xh.). Sigurimi i kushteve të jashtme, marrja e masave paraprake dhe kryerja e asaj që e kemi për detyrë është lutje de facto, por kërkohet edhe përgjërimi. Kur Hz. Omeri i këshilloi Amrit (r.a.), nijet të pastër, zemër të dëlirë nga dynjaja e bidatet dhe përgjërim që bëhet me zë të lartë, i tregoi gjithashtu se edhe nga kush duhet kërkuar ndihma në të vërtetë. Pikërisht si përgjigja e Hz. Ebu Bekrit, radijall-llahu anh, që ua dha atyre të cilëve i kërkuan ndihmë në Jermuk: “Në letrën tuaj më kërkoni t’ju dërgoj përforcime. Ju këshilloj të kërkoni ndihmë nga Allahu, i cili ka ushtarë të shumtë dhe gjithmonë të gatshëm dhe është më i fortë se kushdo. Siç e dini, i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, fitoi në Ditën e Bedrit me një numër më të vogël forcash se ju.”

Hz. Omeri pati thënë: “Ju kam dërguar katër veta, secili prej tyre vlen sa një mijë veta.” Ata katër veta ishin burra të veçantë secili më i çmuar se tjetri, ishin njerëz që kishin fituar nderin e të qenët pasues të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ishin të egër kundër jobesimtarëve dhe të mëshirshëm mes tyre, njerëzit shpesh i shihnin në ruku e në sexhde dhe që jetonin duke kërkuar mirësinë e Allahut (xh.xh.). Një kusht tjetër për pranimin e lutjes është ekzistenca e këtyre “burrave”, të cilët nuk mashtrohen nga kjo botë e cila i mashtron të gjithë. Ata janë siguria e shoqërisë. Ata katër shokë të Profetit, të cilët Omeri i dërgoi me një ushtri prej 5000 vetash, ishin njerëz shembullorë me qëllimet e tyre, qëndrimin e tyre ndaj kësaj botë dhe qëndrimin e tyre larg risive (bidateve). Ja pra, burrat si këta janë burra shembuj konkretë për nijetin e sinqertë, për të mos i ngjarë jobesimtarit dhe për të qëndruar larg bidateve. Siç përshkruhet nga Alparsllani, Çliruesi i Malazgirtit, “myslimanët e pastër që nuk dinë se çfarë është bidati” janë dëshmitarët e vullnetit të Allahut në tokë. Personaliteti dhe karakteri që shfaqin ata janë garancia e ekuilibrit. Mungesa e këtyre individëve, qëndrimi i të cilëve është një lutje në vetvete, ose thyerja e zemrës së tyre mund të shkaktojnë prishje të ekuilibrit.

Për ata që i kthejnë sytë nga qielli dhe pyesin: “Kur do të vijë ndihma e Allahut?”, është e qartë ajo që duhet të bëjnë: Nijeti duhet të rregullohet dhe duhet të rishikohet qëndrimi kundrejt kësaj bote. Dëlirësia e zemrës, nijeti i sinqertë dhe pastërtia në fe janë shenja dalluese të qëndrimit kundrejt kësaj bote. Bota nuk mund të kthehet në normalitet pa të devotshmit dhe të sinqertët, të cilët dynjaja nuk mund t’i mashtrojë, dhe pa lutjen e tyre të sinqertë. Ajo që duhet të bëjmë është t’i gjejmë ata njerëz, të ndreqim zhgënjimin e zemrave të tyre nëse janë zhgënjyer, dhe më e rëndësishmja, të përpiqemi të jemi njerëz me pjekurinë dhe qëndrimin e sahabëve, të cilët jetuan vazhdimisht në një gjendje lutjeje ndaj Zotit.

Po jetojmë në kohë të vështira, andaj duhet t’i kthehemi nefsit tonë. Morali i këtyre kohërave është të kesh një qëndrim që tërheq mëshirën hyjnore. Kur Ibrahimi, alejhi’s-selam, i shkatërroi idhujt e popullit të tij dhe ia vari sëpatën në qafë idhullit më të madh, ai u tregoi me gisht atë idhullin e  madh atyre që pyesnin: “Kush e bëri këtë?” Pastaj u tha: “Ndoshta këtë punë e ka bërë ky më i madhi. Hajt, pyetini ata nëse flasin!”  Atëherë ata iu drejtuan ndërgjegjes së tyre dhe thanë: “Ju jeni keqbërësit!” (shik. Enbija, 64) Ne duhet të kthehemi te ndërgjegjja jonë dhe të zbulojmë se ku dhe si kemi gabuar. Ne e kemi lënë pas dore adhurimin, ndërkohë jemi dërguar me qëllimin për t’i bërë adhurim Zotit (xh.xh.). Ne paguajmë çmimin e atyre që bëjmë me ngushtimin e tokës dhe të zemrave tona.

Kur bëhet fjalë për moralin e kohëve të vështira, gjëja e parë që të vjen në mendje duhet të jetë istigfari (kërkimi i faljes nga Allahu). Meqenëse nuk kemi strehim tjetër përveç Allahut, ne kemi nevojë të pendohemi. Gjendja shpirtërore e atyre tre sahabëve, të cilët iu nënshtruan një izolimi 52-ditor pas luftës së Tebukut, përshkruhet si vijon: “Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve, që mbetën prapa atëherë, kur toka, sado e gjerë, iu duk e ngushtë dhe iu shtrënguan shpirtrat, aq sa u bindën se nuk ka strehim tjetër përveç Allahut e pastaj Allahu u dha mëshirë që të pendohen. Me të vërtetë, Allahu pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë.” (Teube, 118)

Le të krahasojmë gjendjen tonë aktuale me atë të mëparshmen: Nëse përgjërimet dhe lutjet tona janë shtuar, ka të ngjarë që shpëtimi të vijë së shpejti. Dera e pendimit, të cilën Zoti e mban gjithmonë të hapur, është pasqyrimi i mëshirës së Tij që na rrethon. Mëshira do t’i arrijë ata që mund të hyjnë nga ajo derë dhe si rrjedhojë, toka dhe zemrat tona do të zgjerohen përsëri. Së fundi, Ai është që zgjeron dhe ngushton, Ai është ai që jep jetë dhe e merr atë…

Artikuj të ngjashëm