Një gllënjkë e saj është shërim për shumë sëmundje.
Në një konferencë shtypi që mbajti në vendin tonë, Dr. Marie-France Muller i cili ka 25 vite që shkruan për një jetë të shëndetshme dhe cilësore, tha se në sajë të mineraleve dhe enzimave që përmban uthulla e prodhuar në mënyra natyrale, e forcon sistemin imunitar, në këtë mënyrë njeriu bëhet mik dhe ndihmës i shëndetit të tij.
Muller po ashtu tha: “Uthulla industriale prodhohet në pak orë duke u sterilizuar me anë të dritave. Uthulla që prodhohet në ambiente artificiale, nuk vlen për asgjë. Uthulla, procesi i së cilës është përshpejtuar, mund të nxisë sëmundjet e stomakut. Kurrë mos konsumoni uthull të pastër! Gjithmonë pijeni të holluar me ujë. Është mirë që, para se të filloni një kurë me uthull, të konsultoheni me doktorin”
Muller tha se të dhënat rreth uthullës i kishte mësuar nga njerëz në vende të ndryshme të botës të cilët përdorin uthullën, nga ilaçet e përgjithshme dhe nga studimet e bëra. Ndërsa në librin e tij ka shkruar vetëm rezultatet që ka parë nga provat e bëra në organizmin e tij.
Le të ndajmë së bashku disa të dhëna në lidhje me uthullën duke përfituar nga libri i Mullerit me titull “Uthulla, Ilaçi i Rinisë dhe Shëndetit”:
Mënyra e përdorimit më ndikues të uthullës natyrale të mollës është përzierja e saj me mjaltë lulesh. Për përgatitjen e kësaj duhen: 1 gotë ujë, 1 lugë çaji uthull molle, 1 lugë çaji mjaltë lulesh. Përzierja pihet çdo mëngjes nga një gllënjkë. Përdorimi i vazhdueshëm do të bëjë që së pari të forcohet sistemi imunitar i trupit dhe t’ju mbrojë nga shumë sëmundje. Ky koktej energjie po ashtu do t’ju mundësojë gjallëri dhe forcë si dhe në vitet në vijim të keni një trup të shëndetshëm.
Uthulla kundër kolesterolit: Muller bën të qartë se uthulla përmban një fijeve pektinë e cila tretet në ujë dhe e ngadalëson përthithjen e ushqimeve dhe lëngjeve në zorrë. Kur pektina përparon ngadalë drejt sistemit tretës, duke u ngjitur në zorrë, pengon përthithjen e kolesterolit. “Nëse kolesterolin e keni të lartë, mund ta normalizoni atë duke pirë vazhdimisht para ushqimit uthull molle me mjaltë. Madje uthullën mund ta pini duke e përzier edhe me lëng frutash apo perimesh.
Anemia: Uthulla vendos në organizëm hekurin, vitaminën B12 dhe acidin folik të cilët janë shumë efikasë kundër anemisë, në një mënyrë që trupi t’i përthithë sa më lehtë. Mjafton që çdo ditë të pini nga një gotë ujë të vakët me një lugë çaji mjaltë dhe një lugë çaji uthull.
Astma dhe sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes: Në çdo rast mjalti (natyror, i papërpunuar) dhe uthulla e mollës japin rezultate të mira. Mjalti i grurit është më ndikues. Një lugë mjaltë përzihet me një lugë uthull dhe kësaj i shtohet një gotë ujë. Kjo përzierje pihet 3-4 herë në ditë. Lyejmë një shami me uthull dhe e vendosim në anën e brendshme të kyçit duke e ngjitur me ngjitëse.
Temperatura: Një masë uthull e përziejmë me pesë masa ujë. Këtë përzierje mund ta përdorim për të bërë kompresa dhe për t’u mbështjellë. Ky ujë me uthull do të ulë temperaturën dhe do të mundësojë nxjerrjen e toksinave nga trupi me anë të lëkurës.
Shëndeti i këmbëve: Qetësojini këmbët tuaja duke u bërë banjë me uthull! Mbushni një legen me ujë deri te kyçet e këmbëve. Hidhni brenda një gotë uthull molle dhe kripë të papërpunuar deti. Lëvizini këmbët në ujë për disa minuta.
Varicet: Mbështillini këmbët me një pëlhurë të njomur me uthull dhe qetësojini duke i ngritur lartë. Ndërkohë pini një gotë ujë të vakët të përzier me një lugë uthull. Për të hequr lodhjen mund t’i shtoni përzierjes edhe një lugë mjaltë. Në këtë mënyrë do të ndjeni menjëherë se jeni qetësuar si dhe brenda pak javëve do të shikoni një përmirësim të ndjeshëm. Këtë mënyrë mund ta praktikoni një ose dy herë në ditë me nga gjysmë ore.
Kallot: Vendosni në pjesën ku keni kallo bukë të njomur me uthull dhe mbajeni përgjatë gjithë natës. Do të shikoni se në mëngjes nuk do t’ju ketë ngelur as edhe një shenjë. Të njëjtin rezultat jep edhe uthulla me qepë.
Dhimbja e kokës: mbushni një shishe spraji me përzierje uji dhe uthulle. Spërkateni gjithandej ambientin ku jeni dhe kundërmojeni. Masazhojeni ballin me uthull. Ose lageni me uthull fundin e një çante letre, pastaj vendoseni ne kokë si kësulë kuzhinieri dhe mbajeni për gjysmë ore – një orë. Ose përzieni gjysmë lt uthull me 50 gr rozmarinë, lërini për gati 3 javë për të formuar “uthullën e rozmarinës”. Hidhni një lugë nga kjo “uthull”, në ujë që valon dhe nuhateni.
Dhimbja e fytit: Mbushni një të katërtën e gotës me mjaltë, një të katërtën me uthull molle. Nga kjo përzierje pini çdo 4 orë nga një lugë gjelle.
Për të bërë gargare: Gjysmë tasi uthull përziejeni me një tas ujë. Përzierjes shtojini pak biber të zi dhe pak kripë deti të parafinuar. Ngroheni përzierjen dhe bëjeni gati për gargare.
Shëndeti i dhëmbëve: Për problemet e mishit të dhëmbëve dhe infeksionet e gojës, shpëlajeni gojën me një përzierje të një gote uji të vakët me dy lugë uthull. Nëse ju dhëmb dhëmbi, ngrohni pak uthull me biber të kuq dhe mbajeni këtë përzierje në gojë për disa minuta. Për të rritur ndikimin, vendosni në pjesën e jashtme të faqes një kompresë me uthull të vakët.
Djegia e syve: Djegien e syve dhe acarimin rreth tyre mund ta kurojmë me përzierjen që përmban një masë uthull dhe katër masa ujë. Mund ti lani sytë me një gotë ujë të valuar (më pas të ftohur) me një lugë çaji uthull. Përdorimi i vazhdueshëm i uthullës së mollës, në të njëjtën kohë zvogëlon rrezikun e kataraktit që është i lidhur me plakjen. Beta-karoten që ndodhet në uthull në këtë rast luan rol kyç. Për të rritur ndikimin, uthulla duhet të pihet bashkë me lëng karote.
Pickimi i insekteve: Uthulla po ashtu është shumë efikase kundër helmeve të kafshëve duke i pasivizuar menjëherë ato. Në vendet ku keni pickim, hidhni uthull trëndafili; nëse nuk keni uthull trëndafili, mund të përdorni uthull molle.
Nëse keni probleme me pagjumësinë, para se të shtriheni për të fjetur, pini disa gllënjka nga përzierja e ujit me mjaltë dhe uthull (një litër ujë, 3 lugë çaji uthull dhe 125 gr mjaltë). Sidomos për të forcuar kujtesën, për detoks dhe për të rënë në peshë, para çdo vakti ngrënieje pini rregullisht ujë me uthull… (për më shumë informacion, shikoni Marie Franc Muller, vepra me titull “Uthulla, Ilaçi i Rinisë dhe Shëndetit”).
Dobitë e uthullës kundrejt problemeve të lëkurës: Në mjekësinë e vjetër si ilaç kryesor për problemet e lëkurës është përdorur uthulla. Në atë periudhë sëmundjet e lëkurës kuroheshin në formën: vendosej në pjesën e sëmurë një copë pambuk ose lesh e njomur me uthull. Mjekët e vjetër thonë se uthulla ka qenë një burim shërimi për problemet e mavijosjes apo ënjtjes. Sidomos në pjesët e ënjtura uthulla luante një rol të rëndësishëm në uljen dhe parandalimin e tyre. Uthulla ka veçorinë e ndaljes së gjakderdhjes në plagë dhe mbrojtjen e plagës nga infeksioni. Kur njeriu pickohet nga ndonjë insekt e veçanërisht nga bleta, vendi i pickimit duhet të lyhet menjëherë me uthull. Nëse ka kruarje, ajo e qetëson. Nëse digjemi me zjarr, pjesa e djegur duhet të mbështillet me një beze të njomur me uthull. Uthulla është efikase edhe kundër parazitëve (morrave).
Përdorimi i uthullës në flokë: Për të patur flokë që shkëlqejnë dhe për të zhdukur zbokthin, ju ndihmon më së miri uthulla e mollës. Kura e uthullës së mollës që do të praktikohet një herë në javë do t’ju bëjë ta ndjeni ndryshimin që në përdorimin e parë të saj. Pasi i lagim lehtë flokët me ujë, i lyejmë mjaftueshëm me uthull që nga rrënjët e deri te majat. Pastaj i mbështjellim flokët me një peshqir të ngrohtë dhe i mbajmë kështu për një orë. Pas kësaj i lajmë flokët me ujë të bollshëm. Nëse 1 litri të ujit të shpëlarjes i hedhim 1/3 e gotës uthull molle, do të kemi flokë më të shndritshëm.
Përdorimi në sallata: uthulla duhet të përdoret patjetër në pastrimin e frutave dhe perimeve për arsye se i pastron shkëlqyeshëm ato nga bakteret dhe mbetjet kimike të cilat janë të dëmshme për shëndetin e njeriut. Por, kur pastrojmë perimet, mundësisht të përzgjedhim uthullën “natyrale”, atë të vërtetën, për arsye se ajo i ka veçoritë e lartpërmendura. Uthullat që përgatiten me acid uthulle “kimike”, nuk e lanë kurrë ndikimin e uthullës së vërtetë.
Përgatitja e uthullës në shtëpi
Përmbajtja: Një kavanoz 5 litërsh, aq mollë të ëmbla sa për të mbushur 2/3 e kavanozit, ujë i pijshëm ose ujë i valuar që ka arritur temperaturën e dhomës. Farë uthulle ose pesë lugë mjaltë.
Përgatitja: Ndajini, mollët katërsh dhe hiquani farat. Vendosini në kavanoz aq sa të mbushin 2/3 e tij. Mbusheni kavanozin me ujë duke lënë pak hapësirë në fillim. Shtojini farën e uthullës ose pesë lugë mjaltë dhe përziejeni me lugë druri. Mbulojeni kavanozin me një beze të pastër dhe lidheni mirë. Ose mbulojeni me një copë të madhe dhe vendosini një llastik, pastaj lëreni për dy muaj në një vend të freskët dhe të errët. Në 15-20 ditët e para mund ta përzieni uthullën 2-3 herë në ditë. Ky proces do ta shpejtojë fermentimin.
Në fund të muajit të parë fillojnë të formohen mizat e uthullës dhe të ndihet era e uthullës. Mizat e uthullës mund të mos formohen gjithmonë, por kjo nuk do të thotë se uthulla nuk është bërë. Në fund të muajit të dytë kullojeni uthullën dhe hidhini mbetjet e mollëve. Pa e larë kavanozin hidheni sërish uthullën në të. Shtojini dy lugë mjaltë dhe mbulojeni sërish me beze. Të parët tanë i shtonin edhe pak bukë dhe kripë. Lëreni uthullën të presë. Kontrollojeni herë pas here dhe kur të ketë marrë erë të fortë, do të thotë se është gati.
Sa më shumë ta lini uthullën të presë, aq më mirë. Ndërkohë uthulla do të vërë sipër një cipë të bardhë. Këtë e quajmë farë uthulle. Farën e uthullës mund ta përdorni për fermentimin e uthullës së ardhshme.