Natyrisht, është e pamendueshme që ky ummet, të cilit i është dhënë një mision për të ndriçuar vendet e errëta, të ulet e të presë i pafuqishëm dhe të ngecë e të zhytet në këtë botë. Ata që ulen bëhen të gjymtuar me kalimin e kohës. Andaj (besimtari) duhet të ngrihet në këmbë, të ecë, të vrapojë, madje edhe të bëhet kalorës.
Nuri dhe zulmeti, me fjalë të tjera, drita dhe errësira, janë dy koncepte që ku ekziston njëra, nuk mund të thuhet se ekziston tjetra. Zoti (xh.xh.), i paraqet mesazhet e larta dhe profetët që i dërgoi, si llamba që e nxjerrin njerëzimin nga errësira në dritë. Gjithashtu na informon për Qenien e Tij Supreme se ajo është dritë që ndriçon qiejt dhe tokën. Ai tërheq vëmendjen se idetë, ndjenjat, sjelljet dhe morali i atyre që takohen siç duhet me dritën e Zotit, janë të ndriçuara dhe se edhe ata vetë do të bëhen personalitete të ndritura e do të jenë të lumtur. Madje, drita e tyre do të shkëlqejë në fytyrat e tyre në Ditën e Gjykimit dhe ata do të ndriçojnë e do të vijnë në vendin e mahsherit si njerëz yje.
Islami është emri i kësaj drite të Zotit (xh.xh.). Është një diell përshpirtshmërie dhe udhërrëfyes që e ndriçon çdo zemër, vend dhe kohë ku hyn. Vullneti hyjnor ua cakton si detyrë besimtarëve që kjo dritë hyjnore të arrijë vend më vend, tokë më tokë, zemër më zemër. Zemrat besimtare, duke u takuar me një dritë të tillë hyjnore, para së gjithash ndriçojnë veten e tyre, qelizë për qelizë, dhe pastaj ndriçojnë pikat e errëta të tokës si një llambë ndriçuese. Ai që u ngarkohet robërve besimtarë është ky bosht kryesor i detyrës së rindërtimit të tokës. Natyrisht, shejtanët nga njerëzit dhe nga xhindët, të cilët e kanë bërë mision të tyre padrejtësinë, do ta kundërshtojnë këtë ndriçim dhe do të përpiqen ta shuajnë, ta dëmtojnë dhe bllokojnë çdo rreze drite që shohin. Ata do ta përdorin errësirën në zemrat e tyre, të nxira nga femohimi, dhe të gjitha mundësitë e tjera të tyre, veçanërisht gjuhën, për ta mbuluar dhe shuar dritën e Islamit dhe llambën ndriçuese të Islamit, të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Por pavarësisht se çfarë bëjnë, ata do të fundosen ndërsa luftojnë. Shumë prej tyre do të mposhten (vdesin) si Ebu Xhehli me mërinë dhe urrejtjen e tyre. Sepse, dielli i Islamit nuk është një qiri që mund ta shuajnë me gojën e tyre. Zoti (xh.xh.), thotë:
“Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre. Megjithatë, Allahu do ta plotësojë dritën e Tij edhe nëse jobesimtarët nuk e dëshirojnë atë.” (Saff, 8)
I frymëzuar nga ky ajet, Zija Pasha e shpreh këtë të vërtetë siç vijon:
“Caktimi hyjnor nuk kthehet me forcën e disave.
Një dritë që e ndez Zoti dhe nuk shuhet duke i fryrë.”
Ky premtim hyjnor me siguri do të përmbushet. Edhe fatlumët që do ta përmbushin këtë vullnet të Zotit kanë ekzistuar gjithmonë në kohë dhe vende të ndryshme dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë. Në këtë udhëtim sublim, edhe pse do të ketë prej atyre që do të mbesin mbrapa, do të lodhen, do të frikësohen, do të tundohen pas disa pëshpëritjeve mashtruese dhe do të zhyten në këtë botë dhe mirësitë e saj, prapë se prapë, me durim e këmbëngulje, me shpresë të pafundme dhe më e rëndësishmja, me besimin dhe dashurinë e fortë që kanë ndërtuar mes vetes e Zotit (xh.xh.), gjithmonë do të ketë trima (ndriçues) që do të ndriçohen me dritën e Zotit dhe do t’i ndriçojnë edhe të tjerët biidhnil-lah (me lejen e Zotit). Ky është gjithashtu një premtim hyjnor:
“O ju që keni besuar! Nëse ndokush prej jush braktis besimin e vet, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan; të përulur me besimtarët dhe të ashpër me femohuesit; që luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk i tremben qortimit të asnjë qortuesi. Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë. Allahu është Bujar i madh dhe i Gjithëditur.” (Maide, 54)
Detyra kryesore e kalorësve trima që do të bartin dritën hyjnore është të përhapin dritën e besimit në zemrat e tyre, dritën e Islamit në jetën e tyre dhe dritën e ihsanit (mirësisë) në veten e tyre, qelizë për qelizë, dhe të mos lënë asnjë pikë errësire në personalitetin e tyre. Lutjet e mëposhtme të Profetit të Mëshirës, karakteristikë e të cilit ishte edhe “Nur-Dritë”, tregojnë për një horizont të tillë:
“O Allah! Ndriçoje zemrën time, ndriçoje gjuhën time, ndriçoji veshët e mi, ndriçoji sytë e mi, më ndriço para-mbrapa, më ndriço lart-poshtë. O Allah, më jep dritë mua! Më ndriço në të djathtë dhe të majtë. Zoti im, ma rrit dhe ma shto dritën time!” (Muslim, Salatu’l-Misafirin, 181.)
Dëshmitarët e vërtetë të Zotit në tokë janë ata fatlumë që u kujtojnë bashkëbiseduesve Zotin dhe të vërtetën dhe që bëhen shkak për hapjen e një dritareje drejt dritës në zemrat e tyre (bashkëbiseduesve) me një bukuri që reflekton nga drita hyjnore në fytyrat, sjelljet dhe moralin e tyre. Në histori, ata i shohim si adhurues natën dhe muxhahidë (luftëtarë) ditën. Ata i gjallërojnë, përforcojnë dhe i bëjnë të qëndrueshme vetët e tyre me begatinë e kohës së seherit (pak para agimit) që shprehet si “kijamu’l-lejl / namazi i natës” dhe më pas përpiqen të përhapin dritën e Zotit me dritën që shkëlqen në ballin e tyre, me pikat e urtësisë që derdhen nga gjuhët e tyre dhe me sharm e finesë që reflekton në veprimet e tyre. Sot, ndoshta, mund t’i konsiderojmë përpjekjet për të arritur një personalitet të tillë në fillimin e veprave të mira më të rëndësishme që duhet t’i shfaqim si besimtarë. Sepse, si mundet që ta zgjojë i fjeturi të fjeturin? Si mundet që një llambë, e cila ende nuk ndriçon për vete, të përhapë rreze drite në zemrat e tjera?
Nëse hapi i parë është të bëhesh një intelektual i tillë, hapi i dytë është të bëhesh një “siraxhu’l-munir / llambë ndriçuese” në gjurmët e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i cili ishte një siraxhu’l Munir, dhe që e shton dritën e reflektuar prej Hz. Pejgamberit. Formimi i një umeti (bashkësie) nga besimtarët që janë bërë yje të tilla është obligim për umetin e Muhamedit (s.a.s.), sepse ky është shkaku i ekzistencës së këtij umeti dhe misioni kryesor i tij:
“Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun…” (Al Imran, 110)
Ky umet, të cilit i është dhënë misioni për të ndriçuar vendet e errëta, sigurisht nuk mund të mendohet që të ulet e të presë në dëshpërim dhe të zhytet e të mbërthehet në këtë botë. Ata që qëndrojnë ulur, me kalimin e kohës bëhen të gjymtuar. Andaj duhet të ngriheni, të ecni, të vraponi dhe madje, të bëheni kalorës. Zoti (xh.xh.), duke iu referuar kuajve që shkojnë në luftë nga një vend në një vend tjetër duke ngritur pluhur me nijetin e ilaji kelimatull-llahut (lartësimin e fjalës së Allahut), shprehet:
“Betohem në kuajt që vrapojnë shpejt, që nxjerrin shkëndija duke (goditur këmbët kur vrapojnë), që bastisin herët në mëngjes, që ngrejnë pluhur aty dhe që zhyten në mes të armiqve…” Duke u shprehur kështu, tërheq vëmendjen edhe te kuajt, edhe te ata kalorësit trima që nuk u tremben sytë dhe që mbartin mëshirë në zemrat e tyre.
Kjo dritë e besimtarëve të tillë, të cilët kanë në zemër dhe ballin e tyre dritë për ta nxjerrë njerëzimin nga errësira e madhe e mosbesimit në dritën e Zotit dhe për t’i bërë ata ta braktisin adhurimin e njerëzve duke i çuar drejt adhurimit të Zotit, nuk do të shuhet as kur ata të ngrihen nga varret në mëngjesin e mahsherit (Ditës së Gjykimit) e të shkojnë drejt audiencës së Zotit (xh.xh.) dhe do të vazhdojë të shkëlqejë:
“Ditën që do të shohësh besimtarët dhe besimtaret, me dritën e tyre që shkëlqen para dhe në të djathtë të tyre (e do t’u thuhet): “Lajm i mirë sot për ju: kopshtet e Xhenetit nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të banoni përgjithmonë. Kjo është fitorja më e madhe!” (Hadid, 12)
“Atë Ditë, hipokritët dhe hipokritet do t’u thonë besimtarëve: “Na prisni edhe ne që të marrim nga drita juaj”! Por atyre do t’u thuhet: “Kthehuni prapa e kërkoni tjetër dritë!” Dhe, ndërmjet tyre, do të vendoset një mur me portë: brenda saj ka mëshirë, kurse jashtë saj ka dënim.” (Hadid, 13)
Atëherë duhet të ngrihemi dhe nuk duhet të ulemi më kurrë duke thënë: “E bëra nijet për t’u bërë kalorës.”